Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por “më keq, rrezikojnë të lënë të bllokuar në postë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”.
“BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe ne na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, tha Rohde përmes një postimi në X, teksa shpërndau reagimin e zëdhënësit të bllokut evropian, Peter Stano, lidhur me mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar dhe rrjedhimisht Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.
Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i reagoi ambasadorit gjerman për këtë deklaratë, duke thënë se ai po mashtron.
“Qytetarët e Kosovës dhe politikanët e Kosovës e dinë që nuk ka rrugë për anëtarësimin në BE të shtetit të tyre. Ata po ashtu e dinë se nuk ka asnjë ‘marrëveshje të dialogut’ që kur Serbia haptazi kundërshton parimet themelore të dialogut”.
Aksioni policor për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë u zhvillua më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë objekte.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç u mbyllën nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Bashkimi Evropian e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.
LEXONI GJITHASHTU:
- Mbyllen postat serbe në veri të Kosovës, reagojnë ashpër SHBA e BE
- Heqja e vizave për serbët në Veri| Berisha: Sulm ndaj Kosovës, BE mbështet Serbinë