Hysen Kadiu, i cili u rendit më i votuari në procesin e primareve të Partisë Demokratike për Tiranën me 913 vota, ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara për deputet.
Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë në listën e hapur për Tiranën, pasi, sipas tij, emri i tij nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve, ndryshe nga sa ishte rënë dakord me drejtuesit e PD-së.
I papërfshirë në listën e mbyllur, ish-kryedemokrati i Kavajës ka reaguar në rrjetet sociale për këtë vendim, duke shpjeguar se për të marrë pjesë në procesin e primareve, ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të degës së PD-së në Kavajë, ku tha se kishte punuar për të ruajtur unitetin e partisë dhe për të siguruar fitoren e bashkisë dy vjet më parë.
“Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë”, shkruan Kadiu në postimin e tij.
Ai theksoi se “i gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz. Kavaja nuk mund të konsiderohet vazhdimisht si hambari i votave për PD, ndërsa përfaqësimi i saj në listat e deputetëve të jetë i padenjë.”
Postimi i plotë
Së pari, dua të falënderoj familjen time, miqtë, shoqërinë, të njohur e të panjohur në Kavajën time, që besuan tek unë dhe më votuan në primaret e PD-së, duke më dhënë besimin për të qenë në listën kryesore të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës. Pas disa bisedave me kryetarin e PD-së, zotin Sali Berisha, vendosa të mos jem pjesë e listës së hapur për qarkun e Tiranës.
Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë. I gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz. Kavaja nuk mund të konsiderohet vazhdimisht si hambari i votave për PD, ndërsa përfaqësimi i saj në listat e deputetëve të jetë i padenjë.
Është e gabuar të mendosh se unë i trembem një gare në një listë të hapur. Faktet dhe votimet e fundit për zgjedhjet lokale dhe primaret treguan qartë forcën dhe peshën e demokratëve të Kavajës. Por angazhimi, përkushtimi, serioziteti dhe pasioni për të bërë më të mirën për demokratët, përveç votave të marra, duhet të përkthehet edhe në vlerësim për ata që kanë dhënë kontributin e tyre. Një parti e madhe dhe me vlera si PD nuk mund të shndërrohet në një parti që bën qoka për të preferuarit e qendrës dhe lë jashtë prioriteteve qëndrestarët e vërtetë, që i kanë qëndruar pranë në kohë të vështira dhe që janë përpjekur çdo ditë të bëjnë më të mirën për të.
Vendimi për të mos qenë pjesë e listës së hapur të PD-së për Tiranën nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte i duhuri për të lënë vetes kohën e nevojshme për të reflektuar mbi angazhimin e mëtejshëm politik dhe gjithashtu për t’i treguar bashkëqytetarëve të mi se dinjiteti dhe fjala e mbajtur kanë qenë vlerat mbi të cilat e kam krijuar marrëdhënien shumëvjeçare me ta dhe parime mbi të cilat nuk do të shkel kurrë.
Unë, si Hysen, dhe familja ime do të mbetemi ashtu siç kemi qenë gjithmonë: demokratë të vlerave qytetare, me besimin në Zot që na drejton në rrugën tonë të përditshme dhe me besimin e përhershëm se e drejta do ta gjejë rrugën e vet, sado e ndërlikuar të jetë bërë rrugës.
LEXONI GJITHASHTU:
- Zbulohen emrat e kandidatëve për deputetë në listën e sigurtë të PS-së
- Dalin emrat e mundshëm të kandidatëve për deputetë të PD dhe PS në qarkun e Durrësit