Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kaluar ditën e parë në Bllokun e Sigurisë, në rrugën “Mine Peza”, pas arrestimit të tij nga agjentët e BKH ditën e hënë.
Personi i parë që ka vizituar Veliajn paraditen e të martës, ishte drejtori juridik i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi. Ky i fundit është filmuar nga kamerat duke hyrë në ambientet e Bllokut të Sigurisë, me një kopje të librit “Mjelma e Zezë” të autorit Nassim Nicholas Taleb, në duar.
Libri mund të jetë një kërkesë e Kryebashkiakut për të lexuar gjatë kohës që ai ndodhet në paraburgim. “Mjelma e Zezë” trajton konceptin e ngjarjeve të papritura, me ndikim të madh, të cilat shpesh racionalizohen pas ndodhjes së tyre, duke pasur një ndikim të fortë në jetët e individëve dhe shoqërive.
Pas arrestimit të Kryebashkiakut, SPAK bëri me dije se nga të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit, është zbuluar se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë krijuar dhe operuar një mekanizëm që ka mundësuar marrjen e përfitimeve të parregullta, duke përdorur fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë. Ky mekanizëm dyshohet të ketë përfshirë së paku 10 raste dhe ka krijuar dyshime për veprime korruptive dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas SPAK, Erion Veliaj ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike dhe lejeve të ndërtimit tek subjekte të lidhura ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur në hetim. Fondet e këtyre projekteve më pas janë kanalizuar tek disa organizata jofitimprurëse dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, të cilat janë kontrolluar nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe individë të afërt me të. Kjo ka krijuar një rrjet të dyshimtë dhe të komplikuar transaksionesh.
Në njoftimin zyrtar të SPAK, Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në nëntë raste, si dhe për “pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
SPAK gjithashtu ka njoftuar se ka vënë në hetim deputeten e PS-së, Klotilda Bushka, e cila dyshohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës. Po ashtu, dy prokurorët që po hetuan këtë çështje janë Olsi Dado dhe Altin Dumani.
LEXONI GJITHASHTU:
- Arrestimi i Veliajt, Rama: Proces shumë i çuditshëm, u intimiduan dëshmitarë
- Opozita punësoi këshilltarin e Trump, Rama: Trumpistët e kënetës sonë u vetëkënaqën
Ne djallë të tërë këta hajdut te pa parë kur këta shpenzojnë miliona euro në kuriz të popullit , në giotinë të tërë pa përjashtim duhet bërë një spastrim shumë të madhë.