Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se marrëveshja mes PS dhe PD për ndryshimet në kodin zgjedhor, nuk kanë të bëjnë aspak me zgjedhje të lira e të ndershme dhe me atë që presin qytetarët, që të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.
Komentet Mediu i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se këto ndryshime i shërbejnë një grupi njerëzish.
Ai tha gjithashtu se reforma zgjedhore nuk është thjeshtë për deputetët, por për shqiptarët, që të besojnë në votën e tyre.
“Më vjen mirë që Gjiknuri ka filluar të flasë edhe në emër të mazhorancës edhe në emër të opozitës, duke na prezantuar mrekullinë që kanë realizuar për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, por edhe si drejtues i Komisionit të Reformës Zgjedhore, që nuk arriti asnjë rezultat, por vetëm një marrëveshje e cila s’ka të bëjë aspak me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me atë që presin qytetarët shqiptarë që të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo vetëm thjeshtë pazaret politike dhe dashuritë e tyre për kryetarët e partive.
Ka dy vende që nuk zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme, Serbia dhe Shqipëria. Reforma zgjedhore nuk është thjeshtë për deputetët, por për shqiptarët, që të besojnë në sistem, të besojnë në votën e tyre dhe të votojnë si qytetarë të lirë të një vendi anëtar të NATO-s”, tha Mediu.
LEXONI GJITHASHTU:
- Avokati i Fatmir Mediut pas seancës për “Gërdecin”: Çfarë u zbulua nga dëshmitarët
- “Gërdeci”, shtyhet seanca për Fatmir Mediun, mungojnë prokurorët