Drejtori i lajmeve në “Klan Plus”, z. Mentor Kika, i ftuar në emisionin “Euronews Now”, foli për prioritetet e ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Yuri Kim.
Sipas tij, është hera e parë që diplomacia amerikane ka deklaruar në mënyrë të qartë prioritetet e politikës së saj të jashtme në Shqipëri, e cila sipas z. Kikia është diçka shumë pozitive veçanërisht për biznesin.
Ai e shikon pozitiv faktin që për herë të parë përmendet, jo vetëm zhvillimi ekonomik apo rëndësia e zhvillimit ekonomik, por mbështetja dhe nxitja e investimeve amerikane në Shqipëri. E pyetur nëse mesazhi i znj. Yuri Kim do të ndryshojë diçka, z. Kikia u shpreh pozitiv.
“Përfshirja në prioritetet e diplomacisë amerikanë në Shqipëri, të investimeve amerikane është një zhvillim shumë pozitiv, pasi kjo mund të rrisë dozën e monitorimit të klimës së biznesit në Shqipëri, mund të rrisë dozën e kritikës, apo të reflektimit nga ligjvënësit dhe qeverisë në Shqipëri, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes”, – është shprehur ai.
Ndër të tjera gazetari tha se theksimi i kësaj çështjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bëjë që qeveria të reflektojë më shumë dhe të bëhet më e ndjeshme ndaj reagimit të biznesit.
Më herët, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Znj. Yuri Kim u shpreh se Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbrojtja dhe zhvillimi ekonomik i vendit janë prioritetet e SHBA-së në Shqipëri. Znj. Yuri Kim i bëri të ditur këto prioritete përmes një video-mesazhi.
“Së pari do të punoj për të thelluar marrëdhëniet tona në fushën e mbrojtjes që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe më e aftë.
Së dyti do të vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet tuaja për anëtarësim në Be. Aspiratat evropiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin.
Së treti, do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e SHBA në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët”, – është shprehur ajo.