Zëvendës kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi të hënën se kancelarja Angela Merkel, që ditën e diel hyri në karantinë, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po punon nga ambientet e shtëpisë. Scholz tha gjithashtu se ai do të flasë në vend të Merkelit në Bundestag ditën e mërkurë.
“Kancelarja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po punon nga studioja e shtëpisë së saj, si shumë të tjerë që po përmbushin kërkesat për të qëndruar në vetizolim shtëpiak. Por ajo është aktive dhe ne patëm një mbledhje kabineti me të sot përmes telefonit. Gjithçka po shkon ashtu siç duhet”, shprehet z. Scholz.
Numri 2 i qeverisë federale, që është gjithashtu ministër i Financave, foli në një konferencë shtypi me ministrin e Ekonomisë, me të cilin njoftoi një buxhet suplementar prej 156 miliardë eurosh.
Scholz tha se vendimi nënvizon vendosmërinë e qeverisë për të përdorur gjithçka që ka në dispozicion për t’i bërë ballë impaktit social dhe ekonomik të koronavirusit. Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë Peter Altmaier tha se qeveria gjermane do t’u ofrojë ndihmë kompanive që luftojnë me impaktin e koronavirusit.
“Ne do t’ia paraqesim buxhetin suplementar parlamentit këtë javë. Bëhet fjalë për një përmasë të pa marrë më parë përpara një krize”, tha ministri i Ekonomisë
Më herët gjatë së hënës, kabineti gjerman miratoi një projektligj që merr parasysh deri në 100 miliardë euro në kuadër të një fondi për stabilitetin ekonomik, përmes të cilit mund të blejë aksione direkte nga kompanitë.