Rreth 2 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, partitë fituese, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përafruar qëndrimet për ndarjen e posteve qeveritare dhe pritet që brenda kësaj jave të formalizojnë marrëveshjen finale.
Euronews Albania ka mundur të sigurojë informacion se si do të bëhet ndarja e posteve, që nga kryeministri, kryetari i Parlamentit e deri tek ministritë. Marrëveshja jozyrtare është arritur menjëherë pas kthimit nga Berlini, ku kreu Vetëvendosjes, Albin Kurti është takuar me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Të konfirmuara nga të dyja palët për Euronews Albania postet në qeverinë e re të Kosovës janë të ndara si më poshtë:
Deri tani Vetëvendosja thuhet të ketë kryeministrin, post i panegociueshëm që nga fillimi bashkë me zv/kryeministrin e dytë; 5 ministri, konkretisht Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë për Mirëqenien.
LDK do të ketë zv/kryeministrin e parë, kryeparlamentarin, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Bujqësisë.
Ministria e Kulturës dhe ajo për Kthim dhe Komunitete do ju lihet pakicave.
Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka caktuar datën 24 dhjetor për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit.