Marc Fogel, një mësues amerikan i cili po vuante një dënim me burg 14-vjeçar për posedim marihuane, është liruar në kuadër të një marrëveshje këmbimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Fogel ishte arrestuar në vitin 2021 pas mbërritjes në Moskë, ku u akuzua për posedim të marihuanës mjekësore që i ishte përshkruar për trajtimin e dhimbjeve pas një operacioni në shpinë. Ai ishte dënuar një vit më vonë me një dënim të ashpër.
Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, u tha se Fogel ishte lënë i lirë falë një këmbimi të ndërmarrë nga presidenti Donald Trump dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff. Lirimi i Fogelit është shënuar si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve dhe mundësisht një hap për të kontribuar në ndaljen e luftës në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë nuk zbuloi se cilin shtetas rus e kishte liruar në këmbim të Fogelit, por ky veprim erdhi pas këmbimeve të tjera të mëdha të të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë, përfshirë lirimin e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinsit amerikan Paul Whelan në gusht 2024.