Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar pas publikimit të letrës që Presidenti Ilir Meta i dërgoi Komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, për përplasjen me mazhorancën mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Me një shënim në rrjetin social “Twitter”, Rama thotë se ky akt ka ndodhur për herë të parë që nga themelimi i Bashkimit Europian. Sipas asaj që shkruan Rama, ky veprimi i Presidentit të Shqipërisë tenton të minojë urën e ndërlidhjes së vendit të tij me familjen e madhe të BE-së.
“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit.”, shkruan Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare letrën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta ndaj BE-së e sheh si “reaksion” ndaj efekteve që ka nisur të prodhojë reforma në drejtësi.
“Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin.”, thekson Rama.
Teksa ndalet tek hapja e negociatave me BE-në, Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria i ka të gjitha gjasat për të marrë një rekomandim pozitiv, por shton se edhe nëse ky hap nuk realizohet, reformat e nisura nuk kanë më kthim pas.
“Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!”, shtoi ai.
Polemikave ju dha përgjigje vetë Komisioneri për Zgjerimin. Për Euronews Albania, zëdhënësja e KE sqaroi se komisioni nuk ka patur për qëllim të komentojë mosmarrëveshjet politike në Shqipëri.
“Komisioni nuk tha që ekziston një interpretim tjetër nga Presidenti, por se ka një interpretim të ndryshëm të procedurës për emërimin e një prej gjyqtarëve nga Presidenti i Republikës. Komisioni nuk po komenton mosmarrëveshjen midis autoriteteve të Shqipërisë. Ne presim mendimin që pritet të dalë së shpejti nga Komisioni i Venecias”, ka deklaruar zëdhënësja, Ana Pisonero.
Kreu i shtetit publikoi dje letrën dërguar Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, ku mazhoranca e kritikonte se po kërkon të bllokojë hapjen e negociatave. Ndër të tjera në letrën e dërguar Bashkimit Europian, Presidentit Ilir Meta, shkruante se mazhoranca socialiste po tenton të prishë balancat me qëllim kapjen dhe kontrollin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ka një mosmarrëveshje në lidhje me të fundit anëtarë të nominuar si pasojë e një interpretimi të procedurave të emërimit nga Presidenti Republikës. Padiskutim ka një mosmarrëveshje, në lidhje me procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, por kjo vjen nga interpretimi i ndryshëm prej shumicës qeverisëse e cila tenton të kapë Gjykatën kushtetuese të vendit duke e shtuar këtë krizë Sui Generis në Shqipëri.
Si për t’i komplikuar gjërat më keq, ju duhet të dini se kjo mazhorancë ka miratuar në Parlament një ligj anti kushtetues duke ndryshuar rregullat për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tek Presidenti i Republikës, siç parashikohet në Kushtetutë”, thuhej në letrën e Metës.
Lexoni gjithashtu: