English

Metodologjia e re dhe kthyeshmëria, komisioneri Varhelyi sqaron në Ilva Now

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Ilva Now në Euronews Albania, komisioneri i Bashkimit Europian për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi dha detaje lidhur me propozimin e BE për metodologjinë e re të anëtarësimit.

- Advertisement -

Sot gjatë deklaratës që keni bërë gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin keni thënë që do të keni një propozim të ri deri në fund të janarit për këtë metodologji të re dhe qasje. A do të jetë ky një dokument që do të krijojë pra përgjegjësi jo vetëm për vendet që kërkojnë të bëhen vende anëtare, po edhe vendet anëtare të BE? – e pyeti drejtorja e lajmeve të Euronews Albania, znj. Ilva Tare, komisionerin Varhelyi.

“Ne po punojmë në bazë të 4 parimeve dhe kjo është arsyeja se pse unë kam besim, sepse edhe deri më tani të gjitha takimet që kam bërë si me vendet aderuese dhe me shtete anëtare më kanë konfirmuar që këto katër parime mund të jenë elementët për të arritur diçka dhe për të ecur përpara”, u shpreh ai.

Sipas tij, së pari, procesi i zgjerimit duhet të bëhet më i besueshëm, kjo do të thotë që në rast se “në biem dakord për diçka, duhet të tregojmë rezultate për këtë gjë” sqaroi komisioneri.

“Dhe në rast se biem dakord që negociatat për zgjerimin të fillojnë, atëherë do të duhet t’i fillojmë ato. Në rast se biem dakord se duhet të kryhen reforma, atëherë këto reforma duhet të kryhen. Pra, funksionon nga të dyja anët dhe për të dyja palët.”

Ne po ashtu shohim edhe nevojën për të përmirësuar edhe drejtimin politik të të gjithë procesit. Deri më tani kjo ka qenë një punë teknike për shtetet anëtare dhe shtetet anëtare nuk kanë ndjerë pronësi ose disa shtete anëtare, dhe duhet të përforcoj këtë gjë, por dua të krijoj edhe një mundësi për vende aderuese që të jenë më të pranishme edhe në aspektin institucional në këtë punë të përbashkët që bëhet prej nesh.

Ndërsa parimi i tretë ka të bëjë më parashikueshmërinë, kjo do të thotë që pasi të fillojnë të japin rezultate nga shtete që do të kërkojnë anëtarësim, atëherë këtë gjë do ta bënë edhe shtetet anëtare. Dhe në rast se shtetet që kërkojë anëtarësim në BE bëjnë hapa pas, edhe ne do bëjmë hapa pas.

Së fundi duhet që procesi të bëhet më dinamik, pra në rast se do të tregohen dhe jepen rezultate, edhe ne do të duhet ta përshpejtojmë të gjithë procesin. Deri më tani, siç e kam thënë, unë shoh pra që shtetet anëtare kanë vullnet për të punuar për këtë gjë. Megjithatë, na duhet të vazhdojmë punën.

Znj. Tare komentoi se në fund të janarit do të zbulohen më tepër detaje nga propozimi, por pyeti veçanërisht për kthyeshmërinë e procesit.

“Ndoshta është një fjalë, e cila nuk është përmendur shumë sepse procesi mund të kthehet mbrapsht, pasi nuk ka anëtarësim automatik pasi në fund të gjitha shtetet anëtare duhet të bien dakord që ta lejojnë një vend të hyjë në BE. Kështu që kthyeshmëria ka qenë gjithnjë e pranishme, por për disa prej nesh është bërë gjithnjë e më shumë e rëndësishme,” shpjegoi komisioneri.

“Ndaj ne duhet të sigurohemi patjetër, që në rast se ka mungesë ecurie, përparimi, ose bëhen hapa pas, edhe ne duhet të kemi mundësinë për ta reflektuar këtë gjë, ashtu siç duhet në negociatat para hyrjes në BE,” tha ai.

Varhelyi u shpreh megjithatë se rregullat e reja të lojës nga metodologjia që do të dalë në fund të janarit nuk do të jenë detyruese për Serbinë dhe Malin e Zi dhe duke marrë parasysh dinamikat në procesin e tyre.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?