Miliarderët në botë janë më të pasur se të ardhurat e 4.6 miliard personave të mbledhura bashkë dhe 1 për qindëshi më i pasur në botë zotëron më shumë se dyfishi i pasurisë së 6.9 miliard njerëzve.
Këto janë shifrat e fundit të një raporti të publikuar të hënën mbi pabarazinë në botë. Raporti vjen para takimit të elitës botërore mbi ekonominë në rezortin Davos-Klosters në Zvicër.
Edhe pse 2,153 miliarderë shkojnë në takime të tilla vetëm për të qenë të pranishëm, një pjesë e tyre në Forumin Botëror Ekonomik po punojnë për të përçuar një mesazh: Bashkëpunimi i elitës botërorë në pabarazinë e pasurisë.
Raporti i organizatës ndërkombëtare Oxfam thotë se në dekadën e fundit numri i miliarderëve në botë është dyfishuar.
“Ekonomia jofunksionale po ndihmon në pasurimin e miliarderëve dhe bizneseve të mëdha. Nuk është çudi që njerëzit kanë filluar të pyesin nëse miliarderët duhet të ekzistojnë”, tha Amitabh Behar, drejtore e përgjithshme e Oxfam në Indi e cila do të jetë gjithashtu e pranishme në Davos.
“Pabarazia qëndron në zemër të konflikteve shoqërore në mbarë botën, dhe të gjithë janë të vetdijshmë për këtë”, u shpreh Pauline Leclere, punonjëse e lartë e Oxfam në Francë mbi drejtësinë e taksave dhe pabarazive.
“Pabarazia nuk është fat. Është rezultati i politikave shoqërore dhe fiskale të cilat reduktojnë pjesëmarrjen e të pasurve (nëpërmjet taksave) dhe dobësojnë financimin e shërbimeve publike”, shtoi Leclere duke thënë se ky është pikërisht mesazhi që ata do të përpiqen të shpërndajnë në Davos.
Organizata jofitimprurëse publikon çdo vit përpara takimit në Davos që prej 2014 një raport mbi pabarazinë.
Ndarja e gjinive
Këtë vit Oxfam gjithashtu nxori në pah edhe ndarjen gjinore, duke theksuar se pasuria e burrave në mbarë botën është 50% më e lartë se e grave si pasojë e “një sistemi ekonomik të padrejtë dhe seksist”
22 burrat më të pasur në botë zotërojnë më shumë se të ardhurat e të gjithë grave të marra së bashku në Afrikë, shkruhej në raport.
Gjithashtu raporti thoshte se gratë shpesh punojnë në sektorë më pak të vlerësuar ekonomikisht dhe jo të sigurt.
“Gratë dhe vajzat janë ndër personat që përfitojnë më pak nga sistemi i sotëm ekonomik” tha Behar.
Disa ndryshime në pabarazinë
Megjithatë, idetë e tyre mbi pabarazinë qëndrojnë të njëjtat.
“Fatkeqësisht, përfundimet e organizatës qëndrojnë të pandryshuara. Pabarazia vazhdon të jetë në rritje në masa ekstreme”, tha Leclere për Euronews, duke shtuar se pabarazia është diçka shumë e keqe për ekonomitë.