English

Minishengeni Ballkanik ndan Edi Ramën dhe Albin Kurtin

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Takimi i parë i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti duket se nuk ka shkuar siç duhet. Diskutimet për temën e minishengenit Ballkanit, ka ndarë dy Kryeministrat në qëndrimet e tyre gjatë bisedimeve që zgjatën thuajse dy orë.

- Advertisement -

Pas takimit kokë më kokë të zgjatur përtej parashikimeve të protokollit, në deklaratën e përbashkët për mediat, Rama dhe Kurti pranuan “përplasjen”.

I pyetur nëse do të ulet në tryezën e ardhshme për bisedimet lidhur me minishengenin Ballkanik, Albin Kurti tha se, me Ramën më parë do të duhet të flasin për “makroshengen shqiptar”.

“Ky ishte takimi ynë i parë, ka dhe shumë tema që do të duhet t’i trajtojmë në të ardhmen dhe mund të them se kjo ishte një temë që e trajtuam shkurtimisht, meqenëse takimi ynë i sotëm ishte më parë, për makroshengenin shqiptar, sesa për minishengenin Ballkanik”, tha z. Kurti.

I prerë në reagimin e tij ishte dhe Kryeministri i Shqipërisë, ku pranoi debatin që ekziston me homologun e tij. Aty për aty, z. Rama iu përgjigj z. Kurtit duke thënë se “pa minishengen Ballkanik” nuk mund të ketë “makroshengen shqiptar”.

“Është e vërtetë që në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara dhe besoj se nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengen Ballkanik”, u shpreh Rama. 

“Besoj se makroshengeni shqiptar është i lidhur ngushtë me shengenin rajonal sepse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit, dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos që të jemi, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve”, shtoi më tej Kryeministri i Shqipërisë.

Pavarësisht këtyre përplasjeve, Z. Rama gjatë fjalës së tij foli për bisedë të hapur dhe deklaroi se mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në Shkodër.

“Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur. Na duhet shpejtësi e re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë për mbledhjen e dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër”, u shpreh Rama.

Edhe Kryeministri i Kosovës foli për bisedë produktive me z. Rama., duke shtuar se, nevojitet një fillim i fuqishëm i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri.

“Dua që të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë Shqipëri, çka nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet e njëra-tjetrës”, u shpreh z. Kurti duke bërë të ditur se do të ngrihet një Komision Ndërshtetëror për të verifikuar zbatimin e 77 marrëveshjeve mes dy vendeve dhe nisjen e punës për arritjen e marrëveshjeve të reja.

“Dua ta thellojmë bashkëpunimin. Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por ashtu as në paqe, pa Shqipërinë. Në shekullin e 21 të ecim bashkë shpejt, dhe fuqishëm. Dua që të bashkëpunojmë në aspektit ekonomik prodhimit, arsimit, sigurisë dhe politikës së jashtme. I kemi preokupimet e njëjta. Do të avancojmë bashkëpunimin ndërshtetëror”, shtoi më tej Kryeministri i Kosovës.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?