Tregtia e lirë rajonale lind nevojën për politika mbrojtëse ndaj prodhimeve shqiptare përballë konkurrencës. Qeveria deklaroi në fund të vitit 2019 si prioritet të saj “Shengenin Ballkanik” dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal.
Në kuadër të tregtisë së lirë dhe pa barriera, sikurse çdo vend tjetër i rajonit, Shqipërisë i duhet një politikë mbrojtëse e kapaciteteve prodhuese që preken nga konkurrenca e importeve të lira në rajon.
Presion konkurrues po ushtrohet në Shqipëri së fundi nga mielli dhe qumështi i pasterizuar nga Serbia, vend që subvencionon fort gjithë bujqësinë dhe industrinë e vet përpunuese. Prodhuesit shqiptarë kanë shprehur shqetësime, të cilat duhen adresuar.
Për të folur për këto sfida reale, eksperti i ekonomisë, Gentian Elezi, ishte i ftuar në emisionin “Goodmorning Albanians” në Euronews Albania.
Ai tha se Shqipëria duhet të bëjë një analizë të detajuar se sa mund të përfitojë ekonomia në periudha afatshkurtra dhe ato afatmesme.
“Në radhë të parë është vështirë ta themi pasi ende nuk është shpalosur se çfarë do të nënkuptojë Minishengenin. Nuk janë shpalosur idetë konkrete duke marrë si shembull atë që ka bërë Europa me shengenin, e prandaj e kanë quajtur minishengen. Bëhet fjalë për një liberalizim dhe një integrim të tregjeve në disa fusha, jo vetëm të produkteve dhe mallrave, por edhe të shërbimeve dhe kapitalit e tij”,- tha ai.
Ai foli edhe për marrëveshjen e CEFTA-s, e cila sipas Elezit edhe pse ka 15 vite që është nënshkruar nuk është zbatuar siç duhet.
“Pra, duhet parë se si do të shtjellohet. Por ajo që duhet thënë është se ne kemi disa iniciativa të tjera, siç është marrëveshja CEFTA, që synon pikërisht këtë liberalizmi midis vendeve të rajonit, e cila pothuajse 15 vite pasi është nënshkruar nga ana e Shqipërisë ajo nuk është zbatuar plotësisht. Pra, një shqetësim i parë për ekspertët është që nuk kemi një garancia se çfarë do të sjellë kjo marrëveshje në momentin kur nuk kemi respektuar ende një marrëveshje tjetër, që parashikon gjëra tjera pak më të lehta nga ajo se çfarë parashikon minishengeni”, – pohoi Elezi.
Më tej eksperti thekson faktin se liberalizimi i tregut ka edhe aspekte pozitive pasi përfitojnë vetë konsumatorët.
“Natyrisht se nëse liberalizohen tregjet do të këtë përfitime sidomos për konsumatorët, por në rastin e Shqipërisë duhet bërë kujdes dhe duhet bërë analizë e thelluar se sa përfiton realisht në periudhën afatmesëm dhe afatshkurtër për shkak se ne bashkë më Malin e Zi eksportojmë kryesisht shërbime dhe jo produkte, ndërkohë Serbia dhe Maqedonia e Veriut eksportojnë më shumë produkte në rajon”- nënvizoi Elezi.
Z. Elezi tregoi edhe sfidat që ka sot Bashkimi Europian sa i takon ofrimit të shërbimeve.
“Liberalizmi i tregut shërbimeve rezulton i vështirë edhe brenda vetë BE-së. Me këtë dua të them se me këtë duhet bërë analizë e thelluar pasi përfitimet për ne mund të jenë jo në përpjesëtim me atë që mund të ketë Serbia dhe Maqedonia e Veriut”-përfundoi Elezi.