Qeveria do të vazhdojë rimbursimin dhe anulimin e detyrimeve fiskale për bizneset e prekura nga ligji i tatimit mbi të ardhurat, i ndryshuar në janar të vitit 2024.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë seancës në Kuvend, ku u diskutua akti normativ për ndryshimet në këtë ligj. Ministri Malaj theksoi se asnjë tatimpagues i prekur nga ndryshimi nuk do të humbasë të drejtën për rimbursim.
Afati fillestar për përditësimin e llogarive bankare të vetëdeklaruara, i cili përfundonte më 18 dhjetor, është shtyrë deri në përfundimin e rimbursimeve për të gjitha bizneset e prekura.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, ndryshimi në ligjin e tatimit mbi të ardhurat preku 27,605 tatimpagues. Deri tani, për 19,468 prej tyre janë kryer fshirje ose anulime të detyrimeve fiskale, ndërsa për 8,137 të tjerë janë ndërmarrë procedurat e rimbursimit. Në total, 7,157 tatimpagues kanë përfituar kthimin e parapagimeve, ndërsa për 980 subjekte mbetet që procesi të përfundojë.
Ligji i ndryshuar kishte si synim eliminimin e pabarazive fiskale ndërmjet të vetëpunësuarve në fushën e shërbimeve dhe të punësuarve. Sipas statistikave, 46% e bizneseve të vetëpunësuara kishin një barrë fiskale 0%, për të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, ndërsa të punësuarit për të njëjtin shërbim paguanin tatime progresive deri në 24%.
Ndryshimi i ligjit synonte të eliminonte pabarazitë fiskale mes këtyre dy kategorive, me qeverinë që argumentoi si një masë për të luftuar shmangien tatimore dhe për të rritur numrin e të punësuarve. Megjithatë, ligji u kundërshtua nga grupet e interesit, të cilat e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shfuqizoj atë në qershor të këtij viti.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rritja e pagave/ Malaj: Sektori privat të reflektojë të njëjtin trend me atë publik
- Malaj prezanton pr.buxhetin, përplasje mes deputetëve të PS dhe PD në Kuvend