Shtohet numri i të prekurve me coronavirus në Shqipëri. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha përmes një komunikimi me mediat se deri tani janë kryer nga laboratori i virologjisë në ISHP analizat për 157 persona, prej të cilave 12 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Prej ditës së djeshme janë shtuar dy raste të reja me coronavirus. Zv.ministrja e Shëndetësisë Rakacolli pohoi se njeri prej të infektuarve ka lidhje me pacientin zero, kurse i infektuari tjetër është një i moshuar i kthyer nga Italia.
“Në total deri në këto momente janë testuar 157 njerëz të dyshuar me COVID-19, dhe deri tani nga këta 157, vetëm 12 i kemi të identifikuar pozitivë në total. Nga këta, nëntë kanë lidhje me rastin e parë, pra me pacientin zero. Tre janë raste të reja. Një është në Tiranë, një në Lushnjë dhe një në Durrës”, tha ajo.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të prekurve, zv. Ministrja e Shëndetësisë tha se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe po mbahen nën kontroll mjekësor të rreptë.
“Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore ju informojmë se: tre prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme pa probleme të veçanta. Njëri në spitalin e Durrësit në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar. Shtatë prej personave të identifikuar pozitivëme covid-19 janë në vetë izolim , pa shenja klinike te infeksioni respirator, pra janë normal. 104 persona janë në vetëkarantinim dhe nuk paraqesin asnjë lloj shenje. Po vijojmë të gjurmojmë raste”, shtoi ajo.
Mes tjerash, zonja Rakacolli ripërsëriti apelin për qytetarët, ku kërkoi prej tyre kujdes të shtuar dhe respektim të rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Strukturat po bëjnë një punë të shkëlqyer. Mjekët dhe infermierët janë me përgjegjshmëri shumë të lartë. Ju bëj thirre qytetarëve të zbatojnë rregullat, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta parandalojmë përhapjen e gjerë të COVID-19”, shtoi ajo.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha sot para mediave se udhëtarët që hyjnë në pikat kufitare dhe që plotësojnë skedën janë të detyruar të vetëizolohen për dy javë, sipas rregullave dhe protokollit të organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Të gjithë udhëtarët plotësojnë skedën në hyrje, vetëdeklarimi është i detyrueshëm në kufi. Ata detyrohen të rrinë në vetëkarantinim derisa të kalojë një periudhë 14 ditore. Nëse kanë shenja pastaj do t’i drejtohen institucioneve shëndetësore”, u shpreh Rakacolli.