Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se numri I të infektuarve në Shqipëri nga COVID-19 ka shkuar në 51 persona. Lajmi u bë publik nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila tregoi hartën e qyteteve dhe numrin e qytetarëve të infektuar. Siç bëjnë me dije strukturat e shëndetësisë, deri në këto momente janë testuar 563 raste, ndërsa në 24 orët e fundit janë kryer analizat për 31 persona të tjerë të dyshuar.
Aktualisht njëzet persona të infektuar po mbahen në trajtim tek Spitali Infektiv pranë QSUT-së, ku tre prej tyre ndodhen nën kujdes intesiv të bluzave të bardha. Sipas zonjës Rakacolli, pjesa tjetër janë shtruar në pavione dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar.
“Në vijim të punës së kujdesshme dhe profesioniste të bërë nga ISHP dhe njësitë e kujdesit vendor, për identifikimin dhe gjurmimin e rasteve, në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste: Nga rastet e konfirmuara pozitivë: Tiranë 34 raste Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë) Lushnje 2 rast Elbasan 2 raste Fier 6 raste Rrogozhinë 2 raste Prej tyre: 20 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina). Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, tha Rakacolli.
Infektimit të COVID-19 nuk i kanë shpëtuar as bluzat e bardha. Në mesin e 51 të infektuarve janë 1 mjek dhe 3 infermierë të Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të cilët kanë qenë në kontakt me një prej pacientëve, i cili aktualisht po trajtohet në Spitalin Infektiv dhe që më herët ka qenë i shtruar në spitalin e lartpërmendur.
“Në vijim të hetimit të hollësishëm epidemiologjik të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e kanë dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara”, shtoi ajo.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të tregojnë menjëherë nëse kanë histori udhëtimi më Italinë në 14 ditët e fundit. Një thirrje tjetër shkoi edhe për personat e moshës së tretë, të cilëve iu kërkohet me ngulm të mos dalin nga shtëpitë, pasi vetëm kështu sipas specialistëve do mund të krijohen premisat reale për frenimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës COVID-19.
“Nisur nga sa ju informuam, dua të përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët: Telefononi në numrin 127! Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore! Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. Sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor. Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi! Respektoni rregullat e reja! Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!”, theksoi Mira Rakacolli.