Një shtetase nga Britania e Madhe që jetonte në Kosovë u dyshua dje se është e prekur nga coronavirusi i ri, por fatmirësisht bluzat e bardha e kanë hedhur poshtë këtë version. Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka reaguar në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ku konfirmon se pas kontrolleve të kryera rezulton se testi për shtetasen nga Britania e Madhe për coronavirus ka dalë negativ.
Fillimisht ky lajmi shkaktoi frikë dhe shqetësim të madh tek qytetarët e Kosovës, ndërsa kontrollet dhe përfundimi i arritur nga QKUK-ja hedh poshtë një gjë të tillë.
“Rezultati i pacientes është negativ për coronavirus!”- shkroi QKUK-ja.
Por, ky fakt nuk është konfirmuar vetëm nga QKUK-ja. Me anë të një njoftim të shpërndarë për mediat, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën me dije se kontrollet ndaj shtetases britanike kanë rezultuar negative për coronavirusin e ri.
Reagimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot rreth orës 17.00 ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK se një paciente me nënshtetësi britanike është referuar nga Qendra Emergjente e Gjilanit për në Klinikën Infektive. Pacientja është staf ndërkombëtar në Kosovë dhe e njëjta ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë, para disa ditësh.
Pacientja është vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe në aspektin klinik ka pasur ethe të lehta dhe kollitje të lehtë. Menjëherë është marrë mostra për analizë laboratorike dhe është sjellur për diagnostikë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në ora 19.00.
Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë pacientja nuk është e infektuar me novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe me influenza A dhe B.”
Shqipëria dhe Kosova për arsye se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me Kinën janë konsideruar deri tani si vende me rrezik të ulët për përhapjen e virusit vdekjeprurës, i cili fatkeqësisht ka marrë jetën e qindra personave.
Teksa në Kinë dhe në vende të tjera janë shënuar raste të shumta me coronavirus, Shqipëria dhe Kosova deri tani nuk kanë konfirmuar asnjë rast të infektuar me këtë virus. Në Evropë janë raportuar disa persona të infektuar me virus, ndërsa në Kinë, numri i viktimave ka shkuar në mbi 720, kurse numri i të prekurve raportohet mbi 30 mijë persona.