Sonte në Ilva Now, korrespondentët tanë nga Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut zbulojnë arsyet e fenomenit të rrjedhjes së trurit në fushën e mjekësisë.
Korrespondenti ynë në Kosovë, Ferikan Iljazi, tregon se sipas organizatës së pavarur “Oda e Mjekëve të Kosovës” në dy vitet e fundit janë larguar gjithsej 219 mjekë, si dhe 115 infermierë.
ilv
Sipas të dhënave të kësaj organizate, destinacioni i tyre kryesor është Gjermania.
Si pasojë e kërkesës së lartë kanë nisur të lulëzojnë dhe bizneset që japin leksione në gjuhën gjermane.
“Ka interesim të madh nga mjekët për gjuhën gjermane”, thotë Zeqir Lushaku, drejtori i Shkollës së Gjuhëve të Huaja “Zas Trade” në Prishtinë.
Ajo çka është edhe më tronditëse është se duket se ky fenomen është në rritje.
Një ndër shkaqet e largimit është pikërisht numri i lartë i papunësisë në fushën e mjekësisë me 648 mjekë të papunë.
Naim Kastrati, një student i diplomuar për mjekësi të përgjithshme, rrëfen për Euronews Albania disa nga shkaqet përse ai, si shumë të tjerë, kërkon të largohet drejt Gjermanisë.
“Nuk ka kushte dhe mundësi për karrierë pas diplomimit, ato nuk janë i një niveli të kënaqshëm”.
Ndër të tjera ai tregon se edhe teknologjia në spitale nuk është në kapacitetin e duhur.
Sipas të dhënave nga “Oda e Mjekëve të Kosovës”, 219 mjekë kanë kërkuar vërtetim punësimi, një dokument i nevojshëm për tu punësuar jashtë shtetit.
Në vitin 2018, 110 mjekë kanë aplikuar për certifikatë për punësim jashtë vendit, ndërsa gjatë vitit të shkuar 109 mjekë.
Pleurat Sejdiu, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se “mosha mesatare e mjekëve të punësuar në Kosovë është mbi 50 vjeç”.
Ndër arsyet kryesore të largimit të mjekëve, Z. Sejdiu përmend pagat e ulëta, “shuma prej 600 eurosh që marrin aktualisht mjekët specialistë është demotivuese”.
“Aktualisht në Kosovë janë 648 mjekë të papunësuar, papunësia dhe mos hapja e specializimeve prej afro 3 vitesh janë ndër shkaqet kryesore të ikjes së trurit”, ka shtuar ai.
Ndërsa Zeqir Lushaku, drejtori i Shkollës së Gjuhëve të Huaja “Zas Trade” në Prishtinë, pohon se ka rritje të interesimit për gjuhën gjermane.
Sipas z. Lushaku , ka raste që të rinjtë duan të largohen pa i kryer ende studimet.
I njëjti problem duket se po ndodh edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korrespondenti ynë, Benjamin Arifi thotë se shqetësimi është shumë i madh pasi “me këtë shpejtësi të trendit mund të mbetemi pa mjekë”.
Sipas tij, “Mjekët specialistë janë ndër më pak të paguarit në rajon dhe prandaj e ushtrojnë profesionin në Europë, kryesisht në Gjermani”.
Në një intervistë për Euronews Albania, zv. ministri i Shëndetësisë, Armend Arsllani, konfirmoi se qeveria ka rritur pagat e të gjitha niveleve për të shmangur largimin e mjekëve:
“Sipas ndryshimeve të fundit, rritjet e pagave në shkurt 2020 do të jenë si më poshtë :
- Stafi mësimdhënies 20%
- Mjekët specialistë 25 %
- Mjekët e përgjithshëm 15%
- Infermierët 10%
- Stafi teknik 5 %
Por, jo të gjithë janë dakord me ndryshimet e fundit.
Kirurgu specialist Dr. Ilir Hasani thotë se pagat nuk duhet të jenë të ndara në bazë të niveleve por në bazë të meritokracisë.
“Ka shumë mjekë që edhe rroga 1500 euro është shumë, por ka dhe të tjerë që ajo rrogë është shumë e vogël në krahasim me punën dhe cilësinë që bëjnë”.
Ndryshe nga kolegët e tij që synojnë të largohen, ai thotë se nuk ka ndërmend ta braktisë vendin e tij.
“Kam pasur mundësi të iki në Gjermani, aty ku dhe më lindi dashuria për kirurgjinë. Mendoj se guri është i rëndë në vendin e vet”.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2018 janë larguar 180 mjekë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa gjatë vitit të shkuar janë larguar 160 mjekë.