Autoritetet shëndetësore në Itali janë në gatishmëri për të përballuar rastet e reja të të prekurve me coronavirus që po shtohen çdo ditë. Mjekja shqiptare, Bruniolda Marku, e cila jeton në Ferrara, tha për Euronews Albania përmes një lidhjeje me Skype se tendenca për panik është e lartë. Ajo thotë se, në spitalin ku punon janë identifikuar dy raste që bartin këtë sëmundje.
“Në popullatë ka panik. Po mundohemi të flasim vazhdimisht, televizioni flet. Njerëzit nuk duhet të hyjnë në panik, duhet të njohin simptomat. Mos të paraqiten në spital dhe për simptoma minimale, sepse në këto raste rrezikohet të përhapet më shumë.
Jo të gjithë ata që rezultojnë pozitivë me coronavirus, kanë nevojë për ndërhyrje emergjente në spital. Ka persona që kanë simptoma të lehta dhe që mund të kurohen mjaft mirë në shtëpi. Paraqitje në spital, rekomandohet për vështirësi në frymëmarrje dhe temperaturë tepër të lartë”, shprehet znj Marku.
Sipas mjekes Marku, deri tani nuk ka informacion që mes të prekurve me coronavirus të ketë persona me nënshtetësi shqiptare.