Mjeku i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Arjan Mezini u shpreh për Euronews Albania se në momentin që spitali infektiv do të ketë ezauruar kapacitetët për të pritur pacientë me Coronavirus, do të jetë i gatshëm spitali i titulluar tashmë “COVID-2” për ta bërë këtë. Ai gjithashtu ka treguar se një pjesë e pacientëve të mëparshëm në këtë spital kanë qenë në fund të terapisë dhe kanë dashur ta vazhdojnë mjekimin në shtëpinë e tyre, ndërsa pacientët e tjerë që nga fundjava drejtohen për në spitalin rajonal të Elbasanit ku marrin shërbimin për problemet pulmonare që ata mund të kenë. Sipas tij gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
“Spitali ynë ka në dispozicion rreth 190 shtretër për akomodimin e pacientëve me coronavirus. Ne jemi një spital referencë sa i takon trajtimit të sëmundjeve pulmonare dhe në këtë moment që po flasim kemi 10 pacientë me pneumoni bilaterale, tamponët e të cilëve kanë rezultuar negativë, tregoi Mezini.
Për numrin e respiratorëve tregoi se në dijeninë e tij janë vetëm 8 në dispozicion duke shtuar se numri i tyre do të jetë në rritje në ditët e ardhshme në rast se do të duhen dhe nëse situata precipiton. Ai foli gjithashtu për gjendjen e kolegëve të tij të infektuar tashmë nga virusi COVID-19.
“Kolegët e mi janë mirë, ata e kanë kaluar ose me shenja të lehta klinike ose pa shenja fare, si një grip të lehtë. Edhe gjendja e personelit të mesëm të ndihmës është e mirë, me probleme të lehta shëndetësore. Frikë nga infeksioni sigurisht që kemi, por ne jemi mësuar dhe do të bëjmë më të mirën për të ruajtur veten tonë. Do t’i ofrojmë pacientëve maksimumin e mundshëm, por nga ana tjetër do të ruajmë edhe veten”, tha ai.
Sa i takon mënyrës së testimit si shembullin më të mirë përmendi atë gjerman.
“Gjermania po realizon një testim horizontal masiv, por gjithashtu duke ruajtur edhe rregullin e distancimit social. Sa më shumë testojmë, kemi një pamje më realiste të numrit të të prekurve dhe ndoshta në fund të kësaj epidemie mund të bëjmë një korrelacion se sa mund të ketë shkuar numri i të prekurve”, tha për Euronews Albania mjeku i spitalit “COVID-2”.