Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë dy personazheve të tjerë të njohur, të cilët janë subjekt i aktit normativ të qeverisë kundër krimit të organizuar. Plarent Dervishaj, sipas policisë ka qenë i hetuar në Gjermani për trafik qeniesh njerëzore, ndërsa Suel Çela i dënuar në Itali për trafik droge.
Plarent Dervishaj në korrik të vitit të kaluar i shpëtoi një atentati në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me dy persona të tjerë në makinë.
Ai ka qenë i hetuar për disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, për të cilat marrë pafajësi nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Ndërsa Suel Çela është person mjaft aktiv në qytetin e Elbasanit. Ai u bë i njohur në përplasjen me policinë në hyrje të tregut agro-ushqimor të qytetit.
Me një makinë të blinduar ai rrezikoi jetën e disa oficerëve të policisë, por për këtë ngjarje ai mori pafajësi nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Operacioni Forca e Ligjit nisi tri ditë më parë dhe ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.
Ai do të zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar.
Në ditën e parë të tij, Operacioni Forca e Ligjit vendosi sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.
Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga.