Dy vëllezërit shqiptarë, Enis dhe Aleksandros Loka, janë arrestuar dhe mbahen në burg në Greqi, pasi akuzohen për vrasjen e kushëririt të tyre 28-vjeçar, Denis Loka, në lagjen Kypseli të Athinës. Motivacioni i këtij krimi, sipas mediave greke, lidhet me një hakmarrje për abuzimin seksual që viktima kishte kryer ndaj tyre 12 vite më parë, kur vëllezërit ishin fëmijë.
Ngjarja ka ndodhur kur dy të rinjtë, përkatësisht 17 dhe 19 vjeç, u takuan me viktimën me qëllim për t’u hakmarrë për traumën që kishin përjetuar. Sipas raportimeve, familjarët e Denis Lokës e kishin këshilluar atë të mos udhëtonte nga Shqipëria për në Greqi dhe të mos i takonte vëllezërit, duke qenë të vetëdijshëm për tensionin mes tyre.
Babai i dy të rinjve kishte komunikuar më herët me Denis Lokën, duke e paralajmëruar për vështirësitë që djemtë e tij po përjetonin për shkak të abuzimit të së kaluarës. Mësohet se Denis Loka kishte pranuar privatisht se kishte abuzuar me kushërinjtë e tij dhe për këtë arsye familja kërkonte që ai të mos i shqetësonte më. Pavarësisht kësaj, sipas avokatit të vëllezërve, Alexis Kougias, viktima kishte vazhduar t’i ngacmonte ata edhe kohët e fundit, duke çuar situatën drejt një përplasjeje tragjike.
Ngjarja ka tronditur thellë të afërmit dhe komunitetin, veçanërisht pasi Enis dhe Aleksandros Loka ishin nxënës të shkëlqyer dhe nuk kishin pasur asnjëherë përfshirje në veprime kriminale apo incidente të dhunshme. Ata ishin të njohur për sjelljen e tyre të mirë, gjë që e bën edhe më të rëndë tronditjen e familjes pas këtij krimi të rëndë. Tani, dy vëllezërit përballen me akuza të rënda ligjore për vrasje.
LEXONI GJITHASHTU:
- EMRAT| Vranë kushëririn me thikë dhe e braktisën në rrugë, dorëzohen 2 shqiptarët
- Momenti i rëndë kur dy vëlllezërit shqiptarë qëllojnë për vdekje kushëririn e tyre