Sulmuesi argjentinas Angel Di Maria është kërcënuar me vdekje nga bandat e drogës në Argjentinë.
Mesazhi kërcënues ndaj futbollistit iu dha prindërve të tij në banesën që jetojnë në periferi të Rosarios.
“Thuaji djalit tënd Angel që të mos kthehet në Rosario sepse ne do të vrasim një anëtar të familjes”, thuhej në mesazh.
“As Pullaro nuk do t’ju shpëtojë,” vijonte mesazhi, duke iu referuar guvernatorit të provincës, Maximiliano Pullaro. “Ne nuk lëmë shënime në letër. Ne lëmë plumba dhe njerëz të vdekur pas”, mbyllej kërcënimi.
Motivi i kërcënimit të rëndë mbetet ende i paqartë, ndërkohë që vijon puna e policisë për identifikimin e autorëve.
Tabela me mesazhin kërcënues drejtuar familjes Di Maria, u la nga një makinë përballë banesës ku rri zakonisht futbollisti kur shkon në Argjentinë.
Di Maria do të startojë në ndeshjen miqësore të së martës kundër Kosta Rikës, u tha gazetarëve më vonë të hënën menaxheri i Argjentinës, Lionel Scaloni .
“Di Maria e di se ka mbështetjen tonë të plotë për çdo gjë që i nevojitet. E rëndësishme është që ai të luajë, kjo do ta relaksojë pak”, tha Scaloni, duke iu referuar kërcënimeve që vijnë në prag të ndeshjes miqësore që Argjentina do të luajë.