Pas protestës së opozitës në Tiranë, policia arrestoi një person dhe shpalli në kërkim nëntë të tjerë, përfshirë ish-komandantin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Shkodër, Hivzi Bushati.
Arresimet dhe shpalljet në kërkim erdhën pas akteve të kundërligjshme gjatë protestës, ku u përfshinë edhe disa të mitur, tre prej të cilëve janë proceduar në gjendje të lirë.
Duket se sipas policisë ish-kreu i FNSH është përfshirë në veprimet e dhunshme gjatë protestës së opozitës në kryeqytet.
Nga përleshjet dhe incidentet gjatë protestës, 10 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ndërkohë që të lënduar mbetën dhe tre protestues.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi duke theksuar se një grup individësh kishin kaluar kufijtë e ligjit me veprimet e tyre të dënueshme, duke rrezikuar sigurinë publike.
Nga ana tjetër opozita deklaroi se protesta e 7 tetorit është vetëm fillimi i mosbindjes civile e cila do të shtrihet në të gjitha qytetet deri në arritjen e qeverisë teknike.
Demonstrata u përqendrua kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme.
Tubimi u karakterizua nga tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Krahas goditjeve me molotov ndaj institucioneve të sipërpërmendura, gjatë protestës pati dhe një sulm intensiv me lëndë plasëse ndaj selisë së Partisë Socialiste.
LEXONI GJITHASHTU:
- Përshkallëzohet protesta, hidhet molotov mes efektivëve: Merr flakë dhe një qytetar
- VIDEO| Sulmohet me lëndë plasëse selia e PS-së, merr flakë godina
- VIDEO| Protestuesit përplasen me policinë, qëllohet me molotov: Shpërthime të shumta