Edhe këtë vit shqiptarët kanë zgjedhur Korçën për të kaluar festat e fundvitit. Operatorët turistikë bëjnë të ditur se hotelet, bujtinat e shtëpitë pritëse janë të rezervuara në qytet dhe fshatrat turistike për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Anila Kapurani, administratore e njërit prej hoteleve masive në qytetin e Korçës bën të ditur se të dyja datat e rëndësishme janë të rezervuara 100%.
“Po, tashmë është bërë traditë shumëvjeçare që Korça është full e rezervuar e kryeqendra e festave të fundvitit. Ka nisur rezervimi shumë herët, në fillim të nëntorit nxjerrim paketat e ne mes te muajit dhjetor jemi të mbyllur. Për dy datat kulminante po”, thotë Anila Kapurani.
Boboshtica vijon të mbetet një nga fshatrat me të kërkuar për festat e fundvitit nga turistët e huaj por dhe shqiptarë që jetojnë në Greqi.
“Si gjithmonë çdo fundvit, gjithë pjesa e Korçës dhe Boboshtica janë të preferuara për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri. Vijnë nga e gjithë Shqipëria por ka edhe vendalinj. Ka filluar trendi që shtohen çdo ditë hotele e bujtina e mendoj se nuk ndalon këtu”, thotë Olsi Melko.
Të rezervuara 100% për festat janë dhe hotelet e fshatrave turistikë Voskopojë e Dardhë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Korça 108 vjet si krahinë autonome, shfaqen kostumografitë e qyteteve të juglindjes
- Tradita në Kolonjë/ “Të këndosh për Bakllavanë”