Shërbimet e transportit në Francë më në fund iu kthyen normalitetit të hënën pas 46 ditësh grevë të pandërprerë kundër reformës së pensionit. Zbehjen e këtyre protestave, e solli një numër incidentesh të ndodhura ditët e fundit në Francë.
Të hënën, disa anëtarë korporatash u futën në zyrat qendrore të Konfederatës Demokratike Franceze të Punës dhe i shkëputën të gjithë godinës energjinë elektrike.
Gjithashtu autoritetet thanë të shtunën se kishin dyshime për një zjarrvënie të qëllimshme në restorantit francez La Rotonde, një restorant ku presidenti Macron kishte festuar fitimin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2017.
Ndërkohë të premten dhjetëra protestues bllokuan hyrjen e Muzeut të famshëm të Luvrit dhe detyruan mbylljen e tij. Disa orë më vonë, protestuesit u munduan të futen me forcë në një teatër të Parisit ku presidenti Emmanuel Macron së bashku me bashkëshorten e tij po ndiqnin një shfaqje.
Ndërsa grevave në Francë po u vjen fundi, a po i drejtohet vendi protestave më të rastësishme dhe më radikale? Euronews shpjegon më shumë.
Si është situata aktuale në transportin publik të Francës?
Një njoftim gjatë fundjavës nga UNSA (Unioni Kombëtar i Sindikatave Autonome) i cili thoshte se punonjësit do të rifillonin punën, solli një përmirësim të dukshëm në shërbimet publike në Paris këtë të hënë.
Për herë të parë që prej 5 dhjetorit, pothuajse të gjitha shërbimeve në 11 linjat e metrosë në Paris iu kthyen normalitetit.
Por jo të gjithë grevistët votuan pro kthimit të tyre në punë. Sindikatat qëndrojnë të ndara në këndvështrimet e tyre nëse do të pranojnë propozimet e qeverisë apo nëse do të vazhdojnë të shtyjnë tërheqjen e plotë të planeve të qeverisë për të reformuar sistemin e pensioneve.
Megjithatë, në 4 linja të metrosë, shërbimet vazhdojnë të jenë të ndërprera.
Çfarë po planifikojnë sindikatat për ditët në vijim?
“Një shumicë e asambleve të përgjithshme të rrjetit hekurudhor kanë vendosur të zhvendosen nga greva e pafund dhe të orientohen në një formë tjetër veprimi”, tha UNSA në një njoftim për mediat.
Shumë punonjës të hekurudhës po i kthehen punës për arsye financiare, por edhe ata po planifikojnë greva masive, në veçanti, këtë të premte kur kabineti do të prezantojë zyrtarisht projekt-ligjin për reformën e pensioneve.
Historiani Stephane Sirot, një profesor në Universitetin e Cergy Pontoise, tha për Euronews se çdo fazë e procesit legjislativ, deri në miratimin e reformës, do të shoqërohet nga aksione industriale.
Çfarë kanë fituar grevistët?
Qeveria franceze synon të bashkojë një sërë rregullash dhe sistemesh të veçanta në një sistem të përbashkët të pensionit.
Ndërkohë, punonjësit, të cilët mund të dalin në pension më herët se mosha zyrtare 62-vjeçare, nuk duan ta humbasin këtë të drejtë dhe në të njëjtën kohë punonjësit në përgjithësi tremben se qeveria mund të rrisë moshën e pensionit.
“Pyetja kryesore është se si e ndalon një grevë, veçanërisht kur lëvizja duket se po humbet”, tha Dominique Andolfatto, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Burgandisë.
Eksperti vuri në dukje se lëvizja vazhdimisht po merrte kompromise të vogla nga qeveria, duke përfshirë heqjen e përkohshme të moshës së re të pensionit ligjor në 64 vjeç apo regjime specifike të korporatave të ndryshme, duke filluar nga policët deri tek valltarët e operas.
Megjithatë, shumë grevistë mbeten të pakënaqur më këtë lëvizje dhe vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mbetur në vëmendjen e medias, shpjegoi eksperti për Euronews.