Pishtari i lojërave olimpike të vitit 2020 u ndez sot në qytetin e lashtë të Olimpias, për të shënuar hapin e fundit drejt nisjes së garës së shumëpritur.
Lojërat OIlimpike 2020 do të mbahen në Tokio, nga 24 korriku e deri më 9 gusht, një datë që është vënë në pikëpyetje nga përhapja e pandemisë së coronavirusit.
Ndezja e pishtarit dhe nisja e kalimit të tij në formë stafete u krye nga aktorja Xanthi Georgiou. Pishtari do t’u jepet organizatorëve të lojërave olimpike të Tokios në Athinë, më 19 mars.
Organizatorët në Japoni kanë këmbëngulur që përgatitjet të vazhdojnë sipas planit, ndërkohë që janë shtuar spekulimet se mund të anulohen për shkak të përhapjes së coronavirusit.
Thomas Bach, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, tha përpara një turme të vogël njerëzish në Peleponez se 19 javë para ceremonisë së hapjes, organizata të ndryshme nëpër botë po marrin masa të rëndësishme për të ndaluar përhapjen e coronavirusit, ndaj kjo u jep forcë për të vendosur që përgatitjet të vazhdojnë normalisht.
OBSH, ndërkohë, e ka shpallur coronavirusin një pandemi botërore, gjë që ka shtyrë shumë vende të marrin masa ekstreme.
Edhe SHBA-të kanë pezulluar udhëtimet me vendet e Shengenit, një vendim i presidentit Trump që u kritikua nga BE-ja.
Japonia, e cila do të organizojë lojërat olimpike, deri tani ka pasur 620 raste të infektuarish me coronavirus dhe 15 vdekje.