Policia rrugore vijon të konstatojë drejtues mjetesh që lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara, duke u kthyer në rrezik për veten, por edhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Gjatë një monitorimi në orët e mesnatës në autostradën Tiranë-Durrës dhe Sauk-Elbasan, u pezulluan 17 leje drejtimi për shpejtësi që varionte nga 138 deri në 170 km/h.
Prej disa ditësh rrugorët kanë shtuar kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë pas bilancit tragjik të aksidenteve për 2019-n dhe trendit të njëjtë edhe në ditët e para të 2020-s.
Një ditë më parë, edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj paralajmëroi ndërhyrje në kodin rrugor, me qëllim shtimin e masave dhe vlerës së gjobave.
Sipas Lleshajt, aksidentet rrugore duhet të jenë në fokusin e punës për vitin 2020, pasi shkaktojnë 5 herë më shumë viktima se krimi organizuar.