Policia e Shtetit ka publikuar fotografitë e tre personave të kërkuar për vrasje, që janë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit. Në listë është një nga emrat më të përmendur kohët e fundit, Dritan Rexhepi. Ky i fundit edhe pse nga policia shqiptare konsiderohet person në kërkim, rezulton i dënuar me burg në Ekuador, për trafik droge.
Dritan(Gramos) Rexhepi, në datën 6 janar 1999, në Krujë, ka vrarë me armë zjarri dy punonjës policie. Rexhepi është dënuar me 25 vjet burg, nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, “Plagosja e rëndë, me pasojë vdekjen” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
I dyti është Bledar Mneri, i cili në datën 30.11.2015, në Tiranë, ka vrarë shtetasin V. B. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka vendosur dënimin me 25 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Personi i tretë në kërkim është Gazment Nebiu. Ky shtetas ka qenë pjesëtar i bandës së armatosur “Banda e Kakamit” dhe për këtë arsye Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Krijimi i bandës së armatosur”, “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të bandës së armatosur” (3 herë), “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të bandës së armatosur” dhe “Armëmbajtja pa leje, në kuadrin e bandës së armatosur”.