Për të katërtën ditë radhazi, Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), në Maqedoninë e Veriut vijon me protesta duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave me 30 për qind për nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore.
Kryetari i Sindikatës, Trpe Deanoski, në protestën e së premtes përpara Ministrisë së Financave, njoftoi se kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare për takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ai theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare me Qeverinë, do të fillojnë me protesta “më radikale, greva”, dhe se do të shfrytëzojnë “çdo mundësi ligjore” deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Nëpunësit presin që Qeveria të tregojë mirëkuptim dhe ta pranojë këtë dorë ndihme nga Sindikata për të gjetur zgjidhje për kërkesat tona”, tha Deanoski.
Por, Qeveria shpreh dyshime se protestat janë të motivuara politikisht. Ajo e pranon se pagat nuk janë të larta, por arsyetohet se buxheti është i kufizuar.
Aktualisht, paga mesatare e punonjësve në Ministrinë e Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entin Shtetëror të Statistikave, është rreth 471 euro.
Paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 684 euro. Protestuesit kërkojnë një rritje prej 100 eurove.
“Nëse Sindikata (AOGJSH) vërtet kujdesen për pagat e punonjësve, i ftojmë për bisedime me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve reale. Përndryshe, mbetet dyshimi se AOGJSH punon për interesa të partive të caktuara, që synojnë të fitojnë pikë politike në kurriz të qytetarëve,” tha Qeveria në një reagim më 15 janar.
LEXONI GJITHASHTU:
- Shkup: Punonjësit e administratës publike protestojnë për rritje pagash
- Shkupi dënon deklaratën e deputetit bullgar për bashkimin e RMV me Bullgarinë