Shqipëria duhet të plotësojë një listë të zgjeruar kushtesh ku përfshihen ato të Bundestagut dhe të tjera, përpara se të hapë negociatat – kështu thuhet në draftin e miratuar nga Këshilli i Çështjeve të Jashtme të BE, ku gjithsesi rekomandon hapja e negociatave, por pa asnjë afat të përcaktuar.
Maqedonia e Veriut është në pozicion më të mirë se Shqipëria, e pakushtëzuar me plotësim çështjesh përpara vendimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare, që do të mblidhet pasi Këshilli Europain të miratojë kornizën negociuese, pra të paktën deri në një vit.
Siç është propozuar që në 2018 në vendimin e Këshillit Europian pritet që edhe neser vendimi i liderëve të BE të jetë pro hapjes se negociatave me Shqipërine dhe Maqedoninë e veriut.
Euronews Albania ka zbardhur draftin e konkluzioneve të Ministrave të jashtëm ku renditen kushtet e Bundestagun së bashku me disa të reja nga qeveria greke dhe Holanda.
Në draft thuhet qartë se Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore, të garantojë financim transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
Duhet të zbatojë reformën në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e opinionit të Komisionit të Venecias.
Të përfundojnë ngritjen e strukturave për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsioni;
Të bashkëpunojë me vendet anëtare përmes një plan veprimi;
Të adresojë rekomandimet e task forcës financiare, përshirë pastrimin e parave;
Të luftojë fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil dhe të riatdhesojë të larguarit;
Të ndryshojë ligjin e medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Komisioni Europian do të hartojë një raport për plotësimin e këtyre kushteve, përshirë progesionin e bërë për zbatimin e detyrave. Në varësi të këtij raporti do të vendoset në konferencën ndërqeveritare për hapjen e negociatave, për të cilën nuk parashikohet datë konkrete.
Përpost kushteve të mësipërme, Shqipëria duhet të zbatojë 5 prioriteteve kyçe që janë: Nisja e hetimit penal të gjykatësve dhe prokurorëve të akuzuar gjatë procesit të vetingut për sjellje kriminale;
Nisja e procedimeve kundër atyre që akuzohen për blerje votash, prova të besueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve dhe përmbylljen e proceseve të para kundër politikanëve dhe zyrtarëve publikë të nivelit të lartë, progres të prekshëm në lidhje me reformën në administratën publike, zbatimin e reformës për kodin zgjedhor si dhe vendimet përfundimtare për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare;
Miratimin e ligjit te censusit në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe përparimi i procesit të regjistrimit të pronave.
Të dyja këto çështje janë përfshirë me këmbënguljen e Greqisë. Krahas shtetit helen, kushte për Shqipërinë kanë vendosur Gjermania, Holanda, Franca e Danimarka.