Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kreu i Shërbimit Arkivor Shtetëror të Ukrainës (SASU), Anatolii Khromov, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap rrugën shkëmbimit të dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptarë në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Në fjalën e tij për mediat, Bido u shpreh se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje krijohet një kuadër ligjor, i cili krahas shfrytëzimit të dokumentacionit me dobi për publikun shqiptar, mundëson edhe shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës mes dy institucioneve bashkëpunuese.
“Është një marrëveshje e rëndësishme me Arkivin Shtetëror të Ukrainës, që i shërben publikut shqiptar në shumë drejtime. Përtej kësaj, në Ukrainë ka një sërë vendbanimesh shqiptare, që e kanë ruajtuar gjuhën, traditën dhe zakonet shqiptare. Ukraina, prej vitesh gjendet në një pozitë të vështirë, për shkak të luftës së padrejtë të zhvilluar aty. Megjithatë, bashkëpunimi ynë ka qenë i vijueshëm, edhe përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.”- u shpreh Bido.
Sakaq, homologu i tij ukrainas, e vlerësoi bashkëpunimin e vijueshëm ndërinstitucional.
“Është një nder i madh për mua të jem këtu sot dhe të kem mundësinë për të firmosur një marrëveshje. Mendoj se kjo është një ditë e shënuar për ne, pasi është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit mes nesh. Vendet tona kanë vizione të ngjashme për zhvillimin e sistemeve arkivore”, tha Khromov.
Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.
Kjo marrëveshje vjen në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të DPA-së.