Të dielën, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të zgjedhë kryepeshkopin e ri.
Sinodi i Shenjtë i Kishës ka lajmëruar se zgjedhja do të bëhet të Dielën e Dytë të Kreshmës, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore, ndërsa procesi do të nisë që në mëngjes me Meshën e së dielës, ku do të jenë qytetarë, por edhe drejtues të gjithë mitropolive ortodokse të Shqipërisë dhe, sigurisht, të ftuar.
Sipas Kishës Ortodokse, për zgjedhjen e Kryepiskopit të ri, është lënë jo rastësisht të jetë nesër e diel dhe të ketë Meshë (liturgji hyjnore).
“Te gjithë besimtarët luten që Perëndia t’i ndriçojë anëtarët e Sinodit, që të zgjidhet më i denji. Anëtarët e Sinodit janë të gjithë në Meshë nesër, ku edhe ata betohen mbi Tryezën e Shenjtë për përgjegjësinë që kanë për të votuar më të denjin dhe më të përgjegjshmin mes tyre.
Pas Meshës fillon procesi i zgjedhjes dhe, pasi mbaron votimi, shpallet emri i Kryepiskopit të ri, i cili do të vijë dhe do të futet në Katedrale, ku fillojnë të bien kambanat, jo vetëm në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, por edhe në të gjitha Kishat e Shqipërisë.
Besimtarët do të jenë duke e pritur në Katedrale dhe Kryepiskopi i ri i zgjedhur do të japë edhe mesazhin e madh të tij”, njofton Kisha Ortodokse.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Le të guxojmë të shpresojmë!” – Në kujtim të Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasit
- Hapet testamenti i Anastas Janullatos, kush i trashëgon depozitat e tij financiare