Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardiu Veliu në një komunikim për mediat lidhur me masat e ndërmarra nga policia për kontrollin e shtetasve që mund të jenë kthyer nga Italia, bëri thirrje që këta shtetas të vetëkarantinohen, ndryshe do të nisë aplikimi i gjobës prej 5 mijë eurosh.
Zoti Veliu informoi se sot janë rreth 100 persona të evidentuar nga sistemi Tims se kanë hyrë në Shqipëri gjatë ditëve të fundit, identitetet e të cilëve policia i disponon dhe është duke ushtruar kontroll të imtësishëm nëpër rrugë.
“Janë 100 tableta të cilat jemi duke i implementuar, janë një sistem, janë duke punuar online duke bërë kryqëzimin e të gjithë të dhënave.
Pra, nëse është kontrolluar në Tiranë dhe mund të lëvizi për në një qytet tjetër, do të kontrollohet në Durrës, në Fier etj”, tha ai.
Lidhur me vendimin më të fundit të qeverisë për të ndaluar plotësisht lëvizjen e automjeteve, edhe atyre private duke nisur nga ora 6 e mëngjesit e së premtes deri mesnatën e së dielës, drejtori i policisë dha këtë shpjegim:
“Do të lejohen të qarkullojnë vetëm ambulancat, do të lejohen të qarkullojnë mjetet të cilat transportojnë mallra për konsum të qytetarëve.
Mjetet të cilat shërbejnë për transportin e medikamenteve dhe te gjitha mjetet e mediave të cilat janë të loguara dhe çdo punonjës i medias do të jetë i pajisur me bexhin përkatës dhe i dërguar nga drejtuesit e mediave për të konfirmuar pranë Policisë së Shtetit.
Po kështu, në lidhje me të gjithë qytetarët të cilët mund të përdorin aeroportin e Rinasit, duhet fillimisht të konfirmojnë pranë sallave operative nëpërmjet numrit 112 ose 129, orarin e lëvizjes në drejtim të Rinasit, linjën e fluturimit, si dhe kohën e lëvizjes.
Në rast se nuk do të jenë bërë këto njoftime paraprakisht në sallat operative, pra nëpërmjet numrit 112 dhe 129, orari i fluturimit, bileta dhe personi i cili do të fluturojë, nuk do të lejohet të lëvizi në asnjë nga akset rrugore dhe do të ndëshkohet, duke respektuar qoftë dispozitat e Kodit Rrugor, por njëkohësisht edhe sanksionet e tjera të cilat kanë dalë në zbatim të situatës së emergjencës së cilës ne po kalojmë”, përfundoi ai.