Zona e Devollit ka një nga fushat më të mëdha të mbjella me mollë në juglindje të vendit, të cilat këtë vit për shkak të ngricave janë dëmtuar në masë të konsiderueshme.
Njëri nga fermerët e fshatit Mançurisht tregon se zgjidhja e vetme është që kutitë e votimit t’i mbushin me mollë, pasi prej 5 vitesh janë dëmtuar nga breshëri dhe kushtet meteorologjike ndërsa askush nuk është kujtuar për ta.
“Ne jemi te viti i pestë ky, se 4 vite u dëmtuan nga breshëri kurse këtë vit është shpejt, ka filluar dëmtimi por shohim si do shkoje moti. Zoti e ka këtë punë. Nuk është interesuar njëherë një agronom”, tha fermeri Medat Rusi.
Edhe fermerët e tjerë të zonës pranojnë se dëmet janë të konsiderueshme tek pemët e qershisë, kumbullës dhe mollës.
“U prishën. Unë kam njëqind rrënjë. Të gjitha janë prishur. Tani gjethe kanë se qershi nuk kanë më”.
“Prodhimi është marrë po me cilësi të dobët. Shitur me 40-60 lek te vjetra. Këtë vit na ra ngrica, mendojmë se dëme ka bërë. Mollë janë prerë shumë, preva 3 baca, një ngeli. Shteti të shohë mundësi të përballojë gjendjen e të na ndihmojë”.
“Është problemi i ngricave nga dëbora dhe bryma. Kumbulla, qershia janë dëmtuar. Me mollën akoma nuk po e shohim dot se do kohë më të gjatë. Ne në fakt nëse shteti nuk vendos dorë mbi ne do falimentojmë e do largohemi edhe ne pleqtë”.
Kështu janë shprehur disa fermerë të vendit. Në juglindje të vendit janë të mbjella rreth 4200 hektarë me pemtore, ndër to mbi 3600 hektarë me mollë. Rreth 50% e sipërfaqes së mbjellë me mollë këtë vit është dëmtuar nga ngricat.