Temperaturat deri në minus 4 gradë, bashkë me reshjet e dëborës të shoqëruara me ngrica, dëmtuan totalisht pemtarinë dhe vreshtarinë në Qukës dhe Orenjë të Bashkisë së Përrenjasit.
Një nga prodhuesit në fshatin Karkavec të Quksit është Sabri Kuriqi, i cili thotë se dëmi është mbi 20 milionë lekë nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Dëmi është një katastrofë. Ne, më datë 7 prill, ra borë dhe temperaturat arritën në minus katër gradë, duke e bërë trashësinë e borës deri në 12 cm. Kur bora pushoi, filloi ngrica dhe çdo gjë ka mbaruar. Kam 5 ha dhe mund të kem 20 milionë lekë dëm. Pres nga shteti dhe qeveria një ndihmë. Ky rrushi është dëmtuar për tre vjet, sepse kur kam bërë krasitjen e hardhisë, për dy apo tre vjet, ky është tharë komplet, siç e sheh. Nuk kam ikur asnjë ditë në emigrim, kam mbajtur familjen me këtë vresht dhe nuk kam pasur asnjë lloj ndihme. Dëmi më i madh është bërë në vreshtari dhe në qershi, lulja e parë e rrushit çeli dy vesha, tani iku, nuk ka më,” thotë fermeri Sabri Kuriqi.
Fermerët theksojnë se një mot me ngrica në pranverë ka kohë që nuk ka ndodhur, ndërsa shtojnë se dëmi nuk është vetëm tek prodhimi i sivjetshëm, por është afatgjatë. Në Përrenjas janë dëmtuar afro 1500 ha tokë të mbjella.
“Është një dëm kolosal, i gjithë mundi ynë, harxhimet janë shkatërruar. Ky dëm ka ndodhur si pasojë e fatkeqësisë natyrore, përfshirë dhe qershitë dhe rrushin. Nuk ka mbetur asgjë për sivjet, nuk diskutohet prodhimi. Mot e tutje, kismet. Kam 5 ha rrush dhe 1.5 ha qershi, dëm të madh, nuk e di sa është në lekë,” thotë një tjetër fermer.
“Kemi pësuar një dëm të jashtëzakonshëm. Kam 1.5 ha dhe i kam të gjithë rrush të rinj. Kam investuar gjithçka vetë. Ka çelur pak më shumë dhe tani është shkatërruar. Tani po kërkojmë ndihmë për ta mirëmbajtur që të punojë dhe ta kemi për vitin tjetër, pasi këtë vit është e pamundur. Ne nuk kemi mundësi ta punojmë e ta mirëmbajmë, sepse nuk bëhet dot rrush, është dëmtuar shumë. Kjo zonë ka 34 ha rrush dhe është dëmtuar totalisht. Gjithë fshati Kakavec, 34 ha rrush janë dëmtuar plotësisht. Kjo do të thotë se ne kemi mbaruar, nuk kemi asnjë mundësi tjetër, asnjë punë, asnjë mundësi. Do të mendojmë të ikim për emigrim,” thotë një nga fermerët.
Vitet e fundit, fermerët janë përballur me dëmtimin e të mbjellave si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike. Në fund të muajit mars, reshjet e breshërit dëmtuan totalisht të mbjellat dhe drufrutorët në Njësinë Administrative Polis, në Librazhd. Deri më tani, fermerëve nuk u është ofruar asnjë ndihmë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Dëbora dhe temperaturat e ulëta rrezikojnë frutikulturën në juglindje
- As mollët nuk shpëtojnë në juglindje, ngricat dëmtojnë 80% të prodhimit