Qindra protestues të ndryshimeve klimatike janë mbledhur jashtë zyrave të kompanisë Siemens në Gjermani dhe pranë ambasadës australiane në Berlin.
Ata kërkojnë që firma gjermane të mos përfshihet në projektin e një miniere qymyri në Australi, për shkak të emetimeve që ndikojnë në ngrohjen globale.
Drejtori ekzekutiv i Siemensit, Joe Kaeser, tha përpara gazetarëve se kompania, me seli qendrore në Mynih, do të marrë një vendim për kontratën përpara ditës së hënë.
Sipas projektit të shumëpërfolur, Siemens do të furnizonte me një sistem sinjalistike një linjë hekurudhore midis minierës Karmajkëll dhe portit në Australi.
Miniera masive është në pronësi të kompanisë indiane Adani dhe kontrata për sinjalet ka një vlerë prej rreth 18 milion euro.
Australia, e cila është aktualisht duke luftuar kundër zjarreve masive që kanë përfshirë vendin në muajt e fundit, pas disa muajsh thatësirë dhe temperatura mbi mesataren, është një nga eksportueset më të mëdha të qymyrit në botë.
Kaiser i ka lavdëruar aktivistët e lëvizjes “Fridays for Future” dhe tha se i ofron Luisa Neubauer, një nga aktivistet kryesore të kësaj lëvizje, postin e këshilltares në sektorin energjisë së Siemensit.
Por, Neubauer e ka bërë të qartë se grupi nuk do të tërhiqet nga kërkesa e tyre për të anuluar kontratën me minierën australiane.
Aktivistët kërkojnë që Siemens të tërhiqet nga projekti i minierës pasi emetimet e termocentralit të qymyrit kontribuojnë në ngrohjen globale.