Në gjyqin e themelit për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla, lidhur me akuzën e ‘korrupsionit zgjedhor’, këtë të mërkurë më GJKKO u parashtruan kërkesat e palëve.
Vetë kryebashkiaku nuk ishte i pranishem në seancë, ndërsa mbrotja e tij kërkoi pafajësinë.
“Kërkojmë deklarimin e pafajshëm të klientit tonë. Fakti i paraqitur nga Prokuroria nuk përbën vepër penale, gjithashtu elementi i dytë që kemi konstatuar është se mungojnë provat mbi të cilat të ngrihet një akuzë e tillë sikurse është ngritur. Nuk ka absolutisht asnjë provë që ta implikojnë. Edhe bisedat telefonike apo ajo që është regjistruar, nuk rezulton e administruar në provat që ka paraqitur SPAK. Në të gjithë telefonat e sekuestruar nuk rezultojnë biseda apo materiale të tilla që të përbëjnë prova. Në telefonin e Hatixhe Daja nuk ka të regjistruar asnjë telefonatë, nr ceculari apo bisedë që të zhvillohet mes saj dhe Edison Memollës. Ky i fundit në kohën kur pretendohet të jetë bërë biseda, nuk ka qenë kryebashkiak por nënkryetar bashkie. Në këto rrethana ai nuk e dinte kush do të ishte apo nuk do të ishte kandidat, dhe nëse do të ishte ai vetë apo jo. Mund të jetë zbuluar korrupsioni aktiv, por mungon çdo element i korrupsionit pasiv dhe që të provohet kjo vepër se kush është zyrtari që është korruptuar. Kërkojmë të thirren si dëshmitar për deklarime shtetasit:
Hatixhe Daja
Nazmi Daja
Sadushe Sharka
Të kërkohet nga televizioni, të sillet personi që ka montuar materialin që është transmetuar, që të pyetet për kohën kur është montuar, si e ka marrë materialin, a është shtuar apo hequr diçka. Të provohet nëse regjistrimi është origjinal, nëse ka montime apo prerje”, tha Ermir Beta, avokat i Edison Memollës.
Ndërkohë avokati Ledio Nuraj që mbron Ndriçim Tafxhafën rrëzoi pretendimin e Hazixhe Dajës se e ka takuar klientin e tij, që sipas saj, i ka kërkuar që të votojë kandidatin e PD-LSI për kreun e Bashkisë Rrogozhinë.
“Prokuroria pa provuar pretendimet e Dajës, ngriti akuzë ndaj Tafxhafës duke marrë për bazë vetëm deklarimet e zonjës. Nuk ka asnjë provë direkte apo indirekte. Kërkojmë të thirren:
Hekuran Xhani, kandidat i PD
Ilir Kasa drejtues lokal i PD
Indrit Dedja drejtues lokal i LSI
Hatixhe Daja
Sadush Sharka
Ndriçim Tafxhafa
Tafxhafa nuk ka patur asnjë tagër për të kërkuar vota për një kandidat apo një tjetër”, tha Nuraj.
“Dokumenti i konsideruar i falsifikuar ka të bëjë me një gabim njerëzor dhe pakujdesi. Nuk ka qenë një veprim i bërë me dashje mga klienti im Isuf Tosku. Vepra penale e korrupsionit nga klienti im Blerim Xhamani nuk ka asnjë element për ta provuar. Nuk janë konsumuar ansjëra prej pikave që bazohet kjo vepër penale nga i pandehuri dhe nuk rezulton kësisoj të jetë konsumuar vepra penale. Nuk kërkojmë dëshmitar por kërkojmë të na lejohet pyetja e dëshmitarëve që kërkuan të thirren nga kolegët”, tha Avokati i Blerim Xhamanit dhe Isuf Toskut.
Prokurori i SPAK Edvin Kondili kërkoi nga gjylata të mos pranohen dy nga kërkesat e mbrojtësve. E para kishte të bënte me thirrjen e montazhierit të televizionit, dhe e dyta me thirrjen e shtetasve Hekuran Xhani, Ilir Kasa dhe Indrit Dedja.
“Nuk duhet të pranohet kërkesa për thirrjen e personit që ka bërë montimin e materialit në Teëevizion. Nuk ka vlerë që një punonjës i caktuar i një televizioni që ka bërë punën e tij, të ma shpjegojë procedurën e punës që bën. Nuk ka vlerë dhe nuk është mirë të identifikohet dikush që thjesht ka bërë punën e tij, pasi nuk ka lidhje me objektin e këtij gjykimi. Pamjet i kemi administruar”, tha Kondili.
Në fund gjykata pasi mori kohë në Dhomë Këshillimi, pranoi të dyja kërkesat e prokurorit Kondili, si dhe pjesërisht kërkesat e avokatëve lidhur me dëshmitarët. Seanca e radhës për pyetjen e tre prej dëshmitarëve u caktua të mbahet më 11 prill në orën 13:00. Më pas do të bëhet edhe paraqitja e provave shkresore nga Prokuroria.
LEXONI GJITHASHTU:
- Kryetari i bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla në SPAK
- Memolla kryebashkiak i Rrogozhinës, reagon për herë të parë Rama