Në SHBA kanë nisur provat e para të vaksinës së coronavirusit COVID-19, diçka që po tentohet në shumë vende të botës.
Por ekspertët thonë se do të duhen deri në 18 muaj para se të miratojnë një vaksinë të re.
BE, ndërkohë, ka ofruar miliona euro investime mbi një kompani gjermane që po punon me vaksinën, ndërkohë që janë hapur fjalë se qeveria amerikane është përpjekur ta blejë këtë kompani.
Teksa përpjekjet për vaksinën vazhdojnë, bota mbahet ende e mbërthyer nga coronavirusi dhe çdo shtet sa vjen dhe i shtrëngon masat.
Deri tani janë verifikuar 182.000 të infektur në të gjithë botën, dhe 7155 të vdekur.
Numri i të vdekurve në Itali është 2158, gjë që e rendit vendin të parin për sa i përket raportit vdekje/të infektuar.
Në fakt, për çdo 1000 të infektuar, në Itali kanë gjetur vdekjen mesatarisht 71 prej tyre. Në Iran 56.9, në Kinë 39.73, në Spanjë 33.77, në Francë 23.42, në SHBA 18.15, në Korenë e Jugut 9.11, në Zvicër 6.76 dhe në Gjermani 2.09.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje dje që të bëhen sa më shumë teste, në mënyrë që të ndalohet ritmi i infektimeve.
“Nuk mund ta luftosh zjarrin me sytë mbyllur”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom, këtë të hënë. “Dhe këtë pandemi nuk e luftojmë dot pa ditur se kush është infektuar.”
Kryeministri anglez, Boris Xhonson, dha urdhër që të izolohen për tre muaj personat e moshuar e që vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilët janë më të rrezikuarit.
Presidenti francez, Emanuel Makron, tha për popullin e tij se jemi të gjithë në një gjendje lufte, ndaj u kërkoj të gjithëve të rrinin në shtëpi për 15 ditë.
Në Itali janë verifikuar gati 30 mijë raste deri tani, 2158 prej të cilëve kanë vdekur.
Vendeve që morën masa të rrepta i janë shtuar këto ditë edhe Kanadaja, Zvicra, Rusia dhe Malajzia.
Në Vuhan, qytetin kinez ku virusi u diktua për herë të parë në vitin 2019, u raportua vetëm një i infektuar këtë të martë.
BE-ja planifikon të mbyllë kufijtë në një takim që pritet të mbahet brenda dy javësh, prej të cilit do të përpiqen të dalin me një projekt të përbashkët për ta luftuar sëmundjen.
Shefja e kabinetit të Angela Merkelit tha për mediat se zyrtarët gjermanë po punonin fort me CureVac, kompaninë që po përpiqet të gjejë vaksinën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ish ministrja e mbrojtjes së Gjermanisë, tha se janë krenarë që në BE kanë një kompani si CureVac.
“Shtëpia e tyre është këtu”, tha ajo pas fjalëve se presidenti Trump i kishte ofruar kompanisë 1 miliardë dollarë për t’i blerë në Amerikë. “Shtëpia e tyre është këtu, por nga vaksina do të përfitojnë të gjithë, përtej Europës”.
Komisioni ofroi 80 milionë euro për të mbështetur kompaninë.