“Çdo gjë fillon nga demokracia, nga mënyra si zgjedhim deputetët tanë”. Është kjo pika parësore e Kartës 2020, të prezantuar sot nga “Nisma Thurje” në Pallatin Kongreseve me mendime kritike dhe poezi, për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë, në një kohë ku sipas tyre, vendi po shpopullohet.
Me pjesëmarrjen e veçantë të artistit Mirush Kabashi, i cila ka performuar ‘Apologjinë e Sokratit’ dhe poezi të zgjedhura dhe Erion Kristos, Endri Shabanit, Senera Hoxhës dhe Pano Sokos, në këtë aktivitet u vu theksi se Shqipëria mund të dalë nga kriza ku ka hyrë dhe vendi të futet në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social, përmes ideve të reja politike.
“Shqipëria do bëhet. Në një vend që mungon e tashmja, jepi të ardhmen e nëse s’ka, ndizi shpresën dhe nëse shpresa është fikur, duhet të veprojnë dhe nëse ka veprim duhet guxim, nëse na mungon forca, duhet me forcu mendimin dhe nëse aty është tokë e shkretë, duhet të imagjinojmë të projektojmë vendin tonë të mirë”, u shpreh Pano Soko, ekspert i ekonomisë dhe aktivist i “Nisma Thurje”.
Karta 2020 përmban 8 teza se si mund të rimëkëmbet Shqipëria, duke filluar me decentralizimin e pushtetit dhe fuqizimin e qytetarëve në qeverisjen e vendit.
“Nisma Thurje” i ka dorëzuar me parë bashkëkryetares së komisionit të reformës zgjedhore, Rudina Hajdari propozimin për ndryshimin e sistemit proporcional kombëtar me lista të hapura së bashku me 50 mijë firmat e qytetarëve.