Policia franceze ka qëlluar për vdekje mbi një burrë, në afërsi të Parisit të premten, pas një sulmi me thikë në park, ku humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Sulmi ndodhi në qytetin Villejuif, rreth 8 kilometra në jug të Parisit. Policia ka rrethuar zonën përreth parkut dhe zv.ministri i brendshëm francez ndodhet në vendin e ngjarjes.
Dy të plagosurit janë shoqëruar në një spital pranë vendngjarjes, ka njoftuar prokurorja e çështjes Laure Beccuau, teksa shtoi se janë duke intervistuar dëshmitarët për të zbardhur ngjarjen. Beccuau nuk ka pranuar të japë detaje për agresorin.
Në këto katër vjet, kryeqyteti francez është tronditur nga disa sulme që kanë sjellë viktima të shumta.
Tetorin e shkuar, 4 persona humbën jetën pas një sulmi me thikë në Drejtorinë e Policisë së Parisit nga Mickael Harpon, specialist IT-je i cili ishte dhe punonjës i policisë. Prokurorët kanë thënë se agresori, i cili u qëllua për vdekje nga policia, ishte radikalizuar nga një grup Islamik.
Në nëntor të 2015-s, pas një sulmi të koordinuar me bombë dhe armë nga militantët islamikë në Teatrin e Bataklanit dhe vende të ndryshme në Paris, 130 persona humbën jetën, duke shënuar sulmet më vdekjeprurëse në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.