Metodologjia e re e prezantuar nga Komisioni Evropian, pritet ta bëjë më të zgjatur në kohë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të një vendi kandidat. Kjo për shkak se kapitujt për anëtarësim do të hapen të grupuara.
Duke folur në studion e Ilva Now, Odeta Barbullushi, këshilltare e Kryeministrit shprehet se, metodologjia e re nuk ka sjellë ndonjë surprizë të re. Gjithashtu i këtij mendimi është dhe Gentian Elezi, ekspert i Integrimit Evropian, i cili thotë se nuk sheh ndonjë ndryshim thelbësor lidhur me procesin e zgjerimit.
Ndërsa Ardian Hackaj, drejtor i kërkimit në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, thotë se publikimi i metodologjisë është një lajm i mirë, pasi në këtë mënyrë mund të merret një vendim unanim nga BE për hapjen e negociatave, pasi kështu janë të kënaqura vendet skeptike.
“Metodologjia e re është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi i hap rrugën dritës jeshile për hapjen e negociatave. Sipas tij, kjo u jep vendeve skeptike si Franca dhe Holanda atë që kanë dëshiruar, një kontroll më të madh në zbatimin e reformave. Kurse procesin e zgjerimit metodologjia e re e bën më të zgjatur në kohë”, u shpreh Hackaj.
Këshilltarja e Kryeministri, Edi Rama thotë se, metodologjia u jep rëndësi elementëve të reja monitoruese duke që të procesi mund t’u rikthehet çështjeve që mund të jenë mbyllur.
Odeta Barbullushi shton se, Shqipëria në shumë fusha ka vendosur një standard të ri në procesin e anëtarësimit, duke iu referuar reformës në drejtësi.
Kurse, Gentian Elezi thotë se në thelb nuk ka ndryshuar asgjë, pavarësisht se Franca dhe Makron kërkonin gjëra që ekzistonin dhe pikërisht këto u ofron dhe dokumenti i metodologjisë së re.
Por, eksperti i integrimit shton se metodologjia nuk i jep përgjigje ngecjes së procesit të integrimit pasi si Shqipëria dhe Maqedonia kanë 10 vite që kanë nisur procesin por ende nuk kanë shënuar progres domethënës.
Për Ardian Hackajn nga Institucion për Bashkëpunim dhe Zhvillim, testi i rëndësishëm për të parë se çfarë ka ndryshuar nga metodologjia pritet të shihet nëse Parlamenti i Holandës, nëse do të autorizojë qeverinë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.