Parlamenti i Portugalisë votoi pro lejimit të eutanazisë, vetëvrasjes të asistuar nga mjekë specialistë për pacientë me sëmundje të pashërueshme.
Portugalia do të bëhet tashmë një nga vendet e pakta që e lejojnë këtë procedurë. Megjithatë, presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, ka ende një mundësi për ta bllokuar.
Nisma u ndërmor nga partitë e qendrës së majtë, dhe secila prej pesë ligjeve mori vota të mjaftueshme për të hyrë në fuqi.
Me qindra njerëz u mblodhën përballë parlamentit për të protestuar me parulla të shumta, disa prej të cilave shkruanin: “Eutanazia nuk i jep fund vuajtjes, por jetës”.
Disa nga protestuesit mbanin në duar kryqe dhe simbole të tjera fetare.
Presidenti mund t’i vendosë veto ligjit, por parlamenti e ka fuqinë që ta mbajë në fuqi me një votim të dytë, pasi institucioni i presidentit në Portugali nuk ka fuqi ekzekutive.
Megjithatë, kreu i shtetit mund t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të rishikojë ligjin, pasi Kushtetuta e vendit thotë se jeta e njeriut është e shenjtë, edhe pse aborti ka që në vitin 2007 që është ligjëruar.
Eutanazia është e ligjshme në Belgjikë, Kanada, Kolumbi, Luksemburg, Holandë, Zvicër si dhe në disa shtete të SHBA-ve.
Kisha katolike në Portugali i ka kundërshtuar procedurat dhe është përpjekur t’i bindë ligjvënësit që të organizojnë një referendum popullor, por nuk kanë marrë përgjigje.
Nëse hyn në fuqi, ligji kërkon që eutanazia të kryhet me firmën e dy mjekëve: një specialist i fushës së sëmundjes, dhe një psikolog.
Më pas, çështja duhet të marrë miratimin e një Komisioni Vlerësimi, që mund ta ndalojë vazhdimin e procedurës.
Procesi mund të shtyhet nëse çohet në apel në mënyra ligjore, nëse pacienti humbet vetëdijen, dhe nëse mjeku vendos ta ndalojë procedurën për arsye morale. Procesi mbikëqyret nga Inspektorati i Përgjithshëm i Shëndetësisë.
Që të mos nxiten persona të huaj që të udhëtojnë në Portugali vetëm për t’i dhënë fund jetës, ligji është që të vihet në zbatim vetëm për personat me nënshtetësi portugeze.