Siegfried Richtsteig është vetëm njëri prej shumë të sëmurëve të renditur në listën e atyre që përfitojnë transplant zemre, i cili mund të mos vijë kurrë.
Prej me shumë se 130 ditësh ai po pret në spital për të marrë organin jetik që do t’i lejonte atij të bëjë gjërat që më së shumti dëshiron t’i bëjë si p.sh, të luajë me nipat e tij.
Por duket se fundi po afron. Ai është 64 vjeç dhe sipas ligjeve gjermane, sapo ai të arrijë moshën 65- vjeçare ai nuk do të jetë më i përshtatshëm për transplantin e zemrës, sepse të rinjtë kanë prioritet, në një vend ku lista e atyre që presin në radhë për transplantin kalon shifrat e 10.000 personave.
“Koha e pritjes po bëhet çdo ditë e më e gjatë dhe le ta themi troç: deri tani, vetëm deri në moshën 65- vjeçare në Gjermani bëhet transplant, dhe koha po mbaron. Jam 64 vjeç tani, koha po kalon shumë shpejt dhe mund të rezultojë në një pritje të kotë”, – thotë Siegfried Richtsteig, pacient.
Dhe, ai ka shumë arsye për të qenë pesimist. Parlamenti gjerman votoi kundër një propozimi të ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn, i cili do ta bënte më të lehtë procesin e mbledhjes së organeve nga ana e autoriteteve.
Vetëm 36 % e organeve të personave të vdekur arrijnë të përdoren për transplant.
Projektligji u hodh poshtë me 379 vota kundër dhe 292 pro.
Manfred Hummel, drejtori i spitalit Paulinen të Berlinit tha se Gjermania po importonte organe nga fqinjët evropianë që kanë tepricë organesh për shkak të rregullave më të thjeshta të mbledhjes dhe burokracisë më të vogël si Austri, Belgjikë dhe Holandë.
Ai shtoi se përparësia e qeverisë pas rrëzimit të projektligjit në parlament duhet të jetë fillimi i një fushate për të inkurajuar dhurimin e organeve.