Përveç anëtarësimit të Shqipërisë në BE, një nga temat që është prekur gjatë takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares gjermane Angela Merkel, ishte edhe njohja e patentave shqiptare në Gjermani. Lajmin e ka konfirmuar vet kryeministri Edi Rama i cili nëpërmjet një statusi në rrjetin social, bën me dije se gjatë muajit shkurt vjen një mision gjerman për kryerjen e raportit.
“Ju informoj të gjithëve se e kam biseduar këtë kërkesë, zyrtarisht të kahershme në fakt, por për herë të parë drejtpërdrejtë me kancelaren dje. Dhe në shkurt vjen një mision nga Ministria e Transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave”, shkruan kryeministri.
Kreu i qeverisë ka konfirmuar edhe një tjetër lajm po aq të rëndësishëm, që lidhet gjithashtu me njohjen e patentave në shtetin helen.
“Jemi njoftuar po dje nga qeveria greke se në javët në vijim do të hyjë në procedurën e parlamentit të Greqisë njohja e patentave shqiptare të drejtimit, siç është dakordësuar në tryezën e dialogut mes dy shteteve tona”, informon kreu i qeverisë.
Përveç anëtarësimit dhe patentave, në takimin e djeshëm mes kryeministrit Rama dhe kancelares gjermane në Bruksel u diskutua edhe konferenca e donatorëve për dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Në konferencën që pritet të zhvillohet në Tiranë më 17 shkurt, znj. Merkel konfirmoi se do të marrë pjesë edhe Gjermania.