Mungesa e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, dhe avokatit të tij mbrojtës çoi në shtyrjen e seancës gjyqësore, ku Prokuroria do të lexonte konkluzionet përfundimtare për katër të pandehurit.
Gjyqtarja Elsa Ulliri caktoi datën 12 nëntor, ora 14:00, për vazhdimin e procesit, ku prokurori Sotir Kllapi pritet të shpallë pretencën për të pandehurit Vangjush Dako, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku. Avokati i Dakos dorëzoi një kërkesë për shtyrje në sekretarinë e gjykatës, duke argumentuar arsye shëndetësore.
Palët e përfshira u dakordësuan për shtyrjen e seancës, ndërkohë që prokurori konfirmoi se konkluzionet përfundimtare janë të përgatitura.
Vangjush Dako ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest në shtëpi.”
Kujtojmë se GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Fiqiri Farrukun, Fatmir Ejupin dhe Adrian Bulkun.
Dako u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. E para ka të bëjë me dhënien e lejes për ndërtimin e një pallati në Durrës në kundërshtim me ligjin, dhe çështja tjetër me tenderin për projektin e zhvillimit të vijës bregdetare që iu rrit vlera 10-fish.
Por më pas GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest në shtëpi’.
LEXONI GJITHASHTU:
- Apeli lë në fuqi vendimin ndaj Vangjush Dakos, rrëzohet ankimi i SPAK
- SPAK mbyll hetimet për Vangjush Dakon