Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e 18- vjeçarit Aurelio Dervishi, ngjarje e shënuar në 31 mars të këtij viti.
Sipas hetimeve te kryera nga prokuroria rreth orës 20:45 shtetasit Frensi Shehi, Shahir Hafuzi, Irhad Islamaj kanë qenë me automjet pranë matërnitetit “Koço Glozheni”. Në të njëjtin vend me një automjet tip Audi kanë qenë 18 vjeçari Aurelio Dervishi, Renis Fusha, Iljan Ismaili si dhe dy vajza me iniciale A.S dhe E.A.
Kjo e fundit kishte lidhje intime me Frensi Shehin, i cili në momentin që e ka parë atë me disa djem i ka lindur ideja për të nisur një konflikt, duke ftuar dhe shokët e tij.
Referuar hetimit, në momentin që dy automjetet kanë qenë paralel në semafor, Frensi Shehi ka zbritur nga automjeti dhe ka nisur të ofendojë e më pas të përplaset fizikisht me viktimën dhe shokët e tij.
21 vjeçari ka shtyrë shokun e tij Shahir Hafuzi të nxirte thikën e të godiste viktimën, veprim të cilin e ka kryer. Ndërsa Bjorni Shehi dhe Irhad Islamaj kanë goditur fizikisht me grushte dhe sende të forta (xhiromakina), me qëllim që Aurelio Dervishi të ndërronte jetë.
Përveç tij, ata kanë goditur edhe shokët e viktimës. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka konstatuar njolla gjaku, si dhe automjetin me targa AB835IP.
Sipas aktit të ekspertimit ligjor, në trupin e viktimës është konstatuar shembje e indeve të buta të kokës dhe kraharorit, një plagë prerëse-shpuese, ndërsa nga kqyrja e brendshme u konstatua çarje e dërrasës së kraharorit, çarje e cipës mbështjellëse të zemrës, çarje e murit të ventruklit të majtë të zemrës shoqëruar me grumbullim gjaku, në cipën mbështjellëse të zemrës si dhe në kavitetin e kraharorit.
Ekspertiza nxori që shkaku i vdekjes së Dervishit ishte shoku hemoragjik traumatik si pasojë e plagës në kraharor.
Policia gjyqësore pas ngjarjes, sekuestroi telefonat e dy vajzave qe ndodheshin në makinë me viktimën.
Nga kqyrja e telefonit te shtetases E.A rezultoi se kishte disa komunikime me Frensi Shehin pak përpara se të ndodhte ngjarja.
LEXONI GJITHASHTU:
- Konflikti nisi për vajzën që kishte në makinë, si u vra 18-vjeçari në Tiranë
- Vrasja e 18-vjeçarit në Tiranë, arrestohen autorët e dyshuar! Del foto e viktimës