Siç edhe është kthyer në traditë, obelisku Newborn, i vendosur në Prishtinë ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe këtë vit ka ndryshuar pamje duke përçuar një mesazh të fortë social.
Në përvjetorin e 12-të të pavarësisë, Newborn i dedikohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por edhe në botë.
Çdo shkronjë e monumentit, krijon nga një fjalë, për ta dhënë në fund mesazhin “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje”.
Në një lidhje nga Prishtina për Eronews Albania, autori i obeliskut Fisnik Ismaili thotë se, Newborn këtë vit i dedikohet viktimave të abuzimit seksual, 20 mijë përdhunimeve që kanë ndodhur në vitin 1999.
“Me këtë vepër, me këtë përkushtim duam të ndërgjegjësojmë për këtë çështje. Kjo çështje kërkon përkrahje institucionale por edhe përkrahjen e shoqërisë. Gjithashtu kjo çështje bën thirrje për ndërprerjen e luftërave në të gjithë botën”, u shpreh z. Ismaili.
Ai bëri thirrje që të ketë më shumë angazhim dhe të kërkohet drejtësi, pasi deri tani në 20 mijë raste nuk ka asnjë person të dënuar për përdhunimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës.