Krerët e shëndetësisë botërore kanë deklaruar se mënyra më e rëndësishme për të shmangur infektimin me COVID-19 është larja e duarve dhe ruajtja e higjienës.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se larja e duarve ishte edhe akt solidariteti, pasi ul rrezikun e infektimit të të tjerëve.
Ky është një udhëzim hap pas hapi:
- Procesi i larjes së duarve duhet të zgjasë nga 40 deri 60 sekonda.
- Njomen duart me ujë të bollshëm.
- Sapuni duhet të mbulojë të gjithë sipërfaqen e duarve.
- Pëllëmbët fërkohen me njëra-tjetrën, duke bërë që sapuni të shkumohet mirë.
- Duhet të siguroheni që keni pastruar çdo gisht pa përjashtim të secilës dorë.
- Kryqëzoni gishtat mes njëri-tjetrit për t’i fërkuar.
- Me pëllëmbën e njërës dorë pastroni shpinën e dorës tjetër e sigurohuni të shkoni deri te thonjtë.
- Kapni gishtin e madh brenda te grushti i dorës tjetër dhe rrotullojeni që të bëhet pastrim i plotë.
- Fërkojini duart duke kryer lëvizje në formë rrotullimi.
- Hidhni ujë të bollshëm për t’i shpëlarë.
- Përdorni një peshqir vetëm për duart, dhe me atë peshqir prekni rubinetin e ujit për ta mbyllur.
Pyetje të zakonshme:
Duhet t’i laj me ujë të nxehtë?
Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, si dhe UNICEF, kanë thënë se nuk ka rëndësi temperatura e ujit. Thelbi është që të jetë me sapun. Madje, uji shumë i nxehtë mund të krijojë acarime lëkure, gjë që do të ishte më keq.
Mund ta prek rubinetin për ta hapur ujin?
E rëndësishme është të mos e prekni rubinetin për ta mbyllur, pasi të keni fshirë duart, pasi t’i keni larë. Prandaj është e rëndësishme që të përdorni peshqirin kur ta mbyllni.
Mund t’i mbaj thonjtë e gjatë?
OBSH është kundër mbajtjes së thonjve të gjatë. Madje, është e domosdoshme që të jenë të pastër, pasi brenda thonjve mikrobet krijojnë një prani shumë të lartë.
Pse është i rëndësishëm sapuni?
Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve dhe organizata të tjera kanë dhënë shpjegime të detajuara se pse sapuni është i rëndësishëm për largimin e viruseve. Sapuni shpërbën membranat e yndyrës që mbajnë virusin të bashkuar, dhe kështu do të rrëzoheshin si një kështjellë me letra.