Në javën e katërt të Operacionit Forca e Ligjit numërohen 30 individë të skeduar si subjekt i ligjit special. SPAK ka vijuar me dërgimin e disa dosjeve të tjera në Gjykatën e Posaçme ndërsa ka rrëzuar një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
22 ditë nga nisja e operacionit forca e ligjit, 30 persona me të shkuar kriminale janë skeduar si individë që duhet të justifikojnë pasurinë. Ndërkohë prokuroria e posaçme ka vijuar me dërgimin e disa akteve për miratim sekuestroje në gjykatën e posaçme.
Në total deri më tani në gjykatë kanë shkuar dosjet për 24 pasuri, banesa e vila, tokë, biznese dhe automjete, vlera e të cilave përllogaritet rreth 20 milionë euro. Megjithatë “përplasja” e parë e SPAK me policinë e shtetit ka ndodhur për një pronë në Shkodër.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur të heqë masën e sekuestro në kushtet e emergjencës të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për një banesë 1-katëshe pasi është vlerësuar në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ.
Në tryezat e prokurorëve të SPAK për vlerësim gjenden edhe dosjet e tjera të dërguara nga OFL-ja për të cilat duhet të shprehen brenda 15 ditësh.